A të ka mbetur peng që nuk e arrestove Balilin? Përgjigjet Saimir Tahiri

Shqipëria

A të ka mbetur peng që nuk e arrestove Balilin? Përgjigjet Saimir Tahiri

Më: 24 mars 2017 Në ora: 12:32
Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur sot në mëngjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarime mbi hetimet për çështjen e Emiljano Shullazit, në lidhje me ngjarjen e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, në prill 2016.

Tahiri është thirrur për të dhënë shpjegime pak ditë pas marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Në një prononcim për mediat pas dëshmisë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u shpreh se u paraqit për të treguar edhe këtu detyrën që ka bërë, duke shtuar se e sheh këtë si vazhdim të kontributit të tij për të bërë shtet dhe drejtësi në këtë vend.

“Unë iu përgjigja pozitivisht ftesës së prokurorisë së Krimeve të Rënda për të treguar edhe këtu detyrën që kam bërë dhe më vjen mire që jam ftuar të dëshmoj për detyrën time edhe me këtë rast, ku të dy profesorët deklaruan që janë kërcënuar. Këtë paraqitje e shoh si vazhdim të kontributit tim për të bërë shtet dhe drejtësi në këtë vend. Nuk do lejojmë që ca të jenë qytetarë të dorës së parë e ca të dorës së dytë. Ndaj duhet reforma në drejtësi, pasi i jep zgjidhje përpjekjes së shqiptarëve për të pasur një drejtësi të pastër”, tha Tahiri.

Dyshohet se dy akademikët janë kërcënuar nga ana e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij në kulmin e zgjedhjeve për në universitete.

Prokuroria kontaktoi me ish-ministrin në telefon dy herë duke e ftuar të paraqitet në cilësinë e deklaruesit. Por Tahiri kërkoi që thirrja t’i bëhej me shkrim dhe për këtë arsye, organi i akuzës ia dërgoi me dokument fletëthirrjen ish-ministrit.

Menjëherë sapo ka dalë nga dyert e prokurorisë, ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dhënë një intervistë për gazetarët. I pyetur për detajet e asaj çfarë ndodhi në prokurori, Tahiri është shmangur duke preferuar të mos jap asnjë përgjigje, por duke e kthyer situatën në politike.

Edhe pse këmbëngulja e gazetarëve ishte e madhe, ai përsëri u rikthye te reforma në drejtësi sipas të cilit është ë vetmja zgjidhje për këtë vend.

Tahiri është pyetur edhe për rastin e Kelmend Balilit. Gazetarja: A të mbeti peng që nuk e arrestove Balilin?

Tahiri: Nuk më ka mbetur asnjë peng nga detyra e ministrit. E rëndësishme është që Balili nga person me pozitë shtetërore, tani është person në kërkim. Nuk ka rëndësi nëse arrestohet sot apo pas një viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat