Ja pronarët e tokave që marrin kompensim në Shqipëri

Shqipëria

Ja pronarët e tokave që marrin kompensim në Shqipëri

Më: 25 mars 2017 Në ora: 07:59
Ilustrim

Me një Vendim të Këshillit të Ministrave të ditës së martë janë miratuar emrat e pronarëve të trojeve që janë zënë nga objekte ndërtime pa leje, për të cilat është dhënë leja e legalizimit.

Qeveria ka vendosur kompensim financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale, në Tiranë veri, Tiranë shtesat, Kamëz-Vorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, fshatrat turistikë, Shkodër, Vlorë, Durrës dhe Kukës.

Masa e kompensimit është 26.804,62 m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 488.645.634,93 lekë, afro 3.6 milionë euro.

Agjencia e Trajtimit të Pronës do të njoftojë më pas pronarët se kur do të fillojë data e aplikimit për përfitimin e komensimit financiar. Sidoqoftë, dokumentat që kërkohen për përfitimin janë: kërkesa tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë ATP-së; dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve.

Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial sillet çertifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur); prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 mijë lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

Po kështu, kërkohet vërtetim origjinal i lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës; fotokopje e dokumentit të identifikimit; çertifikatë familjare e kërkuesit/aplikuesit dhe mandat pagesë për shumën 2 mijë lekë për çdo aplikim të veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat