Tahiri dhe Nikolla në Prokurori, pranojnë kërcënimin e rektorëve

Shqipëria

Tahiri dhe Nikolla në Prokurori, pranojnë kërcënimin e rektorëve

Më: 25 mars 2017 Në ora: 09:42
Saimir Tahiri dhe Lindita Nikolla

Një ministër dhe një ish-ministër kanë mbërritur ditën e djeshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me një prej ngjarjeve më të rënda që janë shënuar në vendin tonë viteve të fundit. E ndërsa kureshtja ka qenë mjaft e madhe në lidhje me atë për çfarë do të jetë pyetur kryesisht Saimir Tahiri, në cilësinë e ishministrit të brendshëm, pasi u tha se ka qenë në dijeni të kërcënimit që iu bë rektorit të Universitetit, Mynir Koni, dhe ishrektorit Dhori Kule. Tahiri në momentin që doli jashtë dyerve të prokurorisë arriti të mos e prekte fare pjesën e dëshmisë së dhënë brenda, ndërsa ngriti menjëherë paralele mes tyre, që paraqiten dhe pararendësve të tyre që nuk janë paraqitur ndonjëherë. Thuajse me të njëjtën formulë u largua edhe ministrja e arsimit, Lindita Nikolla, ndërsa bëhet me dije se u janë përgjigjur dhe një morie pyetjesh që kanë pasur të bëjnë me atë ngjarje. Sipas të dhënave që vijnë nga Prokuroria bëhet me dije se Tahiri ka folur mbi situatën që njihte ai atëherë, duke pohuar dijeninë mbi aktit e kërcënimit, por jo me emër konkret që lidhej me Shullazin.

“Po, që të dy më kanë thënë që janë kërcënuar, po asnjëri nuk ka pranuar ta njihte kërcënuesin”. Kështu mësohet se kanë thënë që të dy funksionarët e lartë, ndërkohë që mësohet se edhe Nikolla iu ka thënë prokurorëve se dy të kërcënuarit nuk kanë deklaruar emër personi, por kanë thënë se kanë qenë njerëz që nuk i njihnin. Në fakt edhe në deklarimet e bëra publike nga ana e vetë prokurorisë rreth një vit më parë u bë me dije se që të dy zyrtarët e lartë të Rektoratit nuk kanë pranuar që personi të ishte i njohur i tyre dhe aq më pak Emiljano Shullazi. Për këtë histori kërcënimi, histori që në fakt solli jo vetëm tronditjen e opinionit publik po edhe arrestimin e Shullazit, ky i fundit dhe grupi i tij janë lënë në qeli nën një mori akuzash të rënda, ndërsa prokuroria pretendon se ka mundur të sigurojë edhe një dëshmitar që ka dalë kudër Shullazit dhe “djemve” të tij. Deklarimi

Në dalje ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve për detajet nga dosja e Emiljano Shullazit, pasi u mor në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai qëndroi për rreth 20 minuta para prokurorëve të çështjes, por kaq u desh që të ndryshonte retorikën dhe të fliste për rëndësinë që ka llogaridhënia e politikanëve para institucioneve të drejtësisë. “Jam shumë i bindur që si kontributi im ashtu dhe juaji dhe çdo qytetari dhe kujtdo në politikë dhe atyre që e kanë të vështirë të paraqiten edhe kur vrasin e vjedhin, ndihmon të kemi Shqipëri më të drejtë dhe ligjit të jetë i barabartë, jo ca të dorës së parë dhe shumica të dorës së dytë, kjo është arsyeja pse duhet reforma në drejtësi, pse na duhen politikanë që respektojnë ligjin, pse reforma i jep zgjidhje aspiratës së shqiptarëve”, tha Tahiri. Të njëjtën frazë ka përsëritur edhe ish-kolegia e tij, ndërkohë bëhet me dije se dy zyrtarët u morën në pyetje pas kryepolicit të Tiranës, i cili është paraqitur rreth një javë më parë dhe ka dëshmuar për të njëjtën ngjarje. Mësohet se të gjithë i kanë qëndruar besnik versionit që kanë dhënë Koni dhe Kule për shkak të personave që i kanë kërcënuar. Aso kohe u tha se kërcënuesit kishin thënë se ishin Emiljano Shullazi, po ata nuk e njihnin dhe se nuk kishin pasur asnjëherë kontakt me atë njeri që ta fiksonin!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat