Basha mbledh nesër grupin parlamentar, çfarë do t’u komunikojë deputetëve

Shqipëria

Basha mbledh nesër grupin parlamentar, çfarë do t’u komunikojë deputetëve

Më: 25 mars 2017 Në ora: 23:26
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të mbledhë nesër grupin parlamentar.

Mbledhja e grupit të PD do të zhvillohet në selinë e partisë pasdite në orën 19:00. Në mbledhjen e partisë do të diskutohet për strategjinë e protestës dhe vazhdimësinë e saj. Kreu i opozitës gjithashtu do të informojë deputetët për vizitën e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lulzim Basha u kthye sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka përcjellë në çadrën e mbushur me protestues mesazhet kryesore nga kjo vizitë. Ai tha se ka marrë mbështetjen e bashkëpunëtorëve të administratës së presidentit Donald Trump për qëndresën e qytetarëve shqiptarë.

“Dua t’iu tregoj mesazhet kryesore të një pritje të jashtëzakonshme që më është ofruar si ushtar i kauzës së madhe popullore shqiptare për zgjedhje të lira e të ndershme. Çdokush po pret lajmet nga zemra e demokracisë, nga SHBA-të. Përgëzimet vijnë për gjithsecilin prej jush për qëndresën historike që do të rezultojë me fitoren e demokracisë. Në takim me përfaqësuesit më të lartë të partisë republikane të senatit dhe kongresit dhe bashkëpunëtorëve të Trump në Shtëpinë e Bardhë mesazhi i parë është ai i përgëzimit të qytetarëve shqiptarë për këtë qëndresë të jashtëzakonshme”, tha kreu i PD.

Basha tha se mesazhi i dytë është falënderimi për protestuesit që ngrihen për të drejtën e tyre ndërsa liria kërcënohet nga krimi dhe paratë e pista.

“Mesazhi i dytë që buron nga bindja e tyre për kuptimin e kësaj lufte, është falënderimi për ju, jo thjesht si njerëz që ngriheni për të drejtën tuaj por si një armate që lufton për lirinë këtu në këtë front ku ajo është e kërcënuar nga krimi i organizuar dhe paratë e pista. Falënderime për ju sepse beteja për liri luftohet kudo ku ajo është e kërcënuar”, u shpreh Basha.

Ai njoftoi protestuesit dhe demokratët se PD do të ketë mbështetjen e ekspertizës së ekipit të presidentit amerikan Donald Trump.
“Mesazhi i tretë është ai i mbështetjes totale të miqve tanë. Mbështetjes politike parimore morale dhe të gjithanshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë nga ekipi fitues i presidentit Trump. PD do të ketë mbështetjen e ekspertizës së ekipit që ditoi zgjedhjet në SHBA”, tha kreu i PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat