Ish të përndjekurit, kur do të nisë dëmshpërblimi për trashgimtarët

Shqipëria

Ish të përndjekurit, kur do të nisë dëmshpërblimi për trashgimtarët

Më: 26 mars 2017 Në ora: 07:54
Ish të përndjekurit

Në një kohë që vijon dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politik që janë gjallë, për trashgimtarët procesi është i bllokuar. Kjo për faktin se pjesa më e madhe e fondit që ka miratuar qeveria për dëmshpërblimin e ish të dënuarve, shkon për kategorinë e atyre që kanë qënë të dënuar dhe që jetojnë.

Ndërkohë për trashgimtarët ende nuk është mbyllur dhënia e këstit të parë dhe të dytë. Një numër i madh trashgimtarësh kanë marrë këstin e parë, por ka dhe një pjesë që ka marrë këstin e dytë, por procesi ka ngecur.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë me dije se gjatë 2017-së janë dëmshpërblyer një numër tepër i vogël trashgimtarësh. Të njëjtat burime theksojnë se një pjesë e trashgimtarëve pritet të marrin këstin e parë ose të dytë duke filluar nga muaji maj.

Për sa i përket këstit të tretë, nuk do të jepet përgjatë këtij viti. Kjo për arsyjen se duhet që të përmbyllet i gjithë procesi për dhënien e këstit të parë dhe të dytë dhe më pas do të vijojë dhënia e këstit të tretë. Instituti i të Përndjekurve Politik thotë se ka një bllokim të procesit edhe për faktin se Ministria e Financave nuk poi  miraton listat në kohën e duhur.
 
Dëmshpërblimi

Ndërkohë Ministria e Financave u bën apel trashgimtarëve që të dorëzojnë dokumentat, kur ka mungesa. Sipas financave  pagesa do të kryhet për të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit politik.

“Trashëgimtarët duhet të dorëzojnë dokumentet e kërkuara sipas dispozitave  ligjore në fuqi. Të gjithë trashëgimtarët e ish të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Kur kemi ndryshim të identitetit, Emër/Mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një gërmë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile. Në raste se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet kur për arsye të njohura në gjendjen civile nuk ekzistojnë dokumente të periudhës përkatëse dhe ky fakt vërtetohet nga gjendja civile, i interesuari është i detyruar të bëj një gjyq fakti, të cilin edhe në këtë rast si në pikën më lart, duhet ta shoqërojë me një certifikatë negative”, - thotë Ministria e Financave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat