Zgjedhja e Presidentit/ Rama: I kemi votat, por…Ja si i përgjigjet Nishani

Shqipëria

Zgjedhja e Presidentit/ Rama: I kemi votat, por…Ja si i përgjigjet Nishani

Më: 26 mars 2017 Në ora: 09:10
Presidenti Nishani dhe kryeministri Rama

Kryeministri Rama dha dje shenja se Presidenti i ri i Republikës mund edhe të mos i përkasë Partisë Socialiste dhe maxhorancës.

Gjatë një takimi me një grup pensionistësh, kreu i qeverisë, duke folur për zgjedhjen e presidentit të ri, tha se maxhoranca i ka numrat në Parlament, por do të përpiqet për një president me mbështetje dhe mirëkuptim. “Ndonëse maxhoranca i ka votat për ta zgjedhur që në raundin e parë do të tentojmë që presidenti apo presidentja të jetë një figurë, e cila të ketë një mirëkuptim dhe mbështetje”, tha Rama. Kjo është hera e parë që Kryeministri Rama flet për mënyrën se si dëshiron të zgjidhet kreu i ri i shtetit, pasi deri dje ai u ishte shmangur përgjigjeve për presidentin e ri. Gjatë takimit të djeshëm, Rama duke folur për bllokimin e zgjedhjes së institucioneve të reja të vetingut akuzoi opozitën se ka shkelur kompromisin që i ofroi maxhoranca dhe ndërkombëtarët. “Ne i kemi dhënë opozitës një kompromis që po e përdor për të bllokuar reformën. Ata kërkuan 50% me 50% të komisioneve. Komisioni i parë është 12 veta dhe komisioni i dytë 6 veta. Nëse ata nuk vijnë, anëtarët e komisioneve nuk zgjidhen. Kjo ka qenë pika që ne ia dhamë për kompromis dhe që po e përdorin për të bllokuar. E këtu janë zbuluar edhe me partnerët. Sepse partnerët, qoftë amerikanë, qoftë gjermanët, kanë negociuar këtë kompromis dhe me kompromisin që kanë marrë, që s’e ka pasur kurrë 20 e ca vjet opozita me qeverinë, ata abuzojnë e thonë nuk vijmë. Por ne nuk e lëmë këtë gjë në mëshirë të çadrës. Se si dhe se qysh, hap pas hapi do ta zgjidhim. Nuk diskutohet që ata nuk kanë për ta bllokuar këtë. Nëse do të këmbëngulin, më 18 qershor kanë për të marrë një përgjigje. Ata e dinë këtë gjë, sepse siç bëjmë ne sondazhe, ku janë 90% e popullit që duan drejtësi dhe veting, edhe ata e dinë”, tha Rama.

 NISHANI

Presidenti Nishani kërkon një mandat të dytë dhe për këtë kërkon votat dhe vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kreu i shtetit, i cili mori votat e PDsë, LSI-së dhe PR-së, në zgjedhjen e tij pesë vjet më parë nuk beson në një pakt PS-PD për zgjedhjen e presidentit si një mundësi për të dalë nga protesta dhe bojkoti i Parlamentit për opozitën. “Unë jam zgjedhur në këtë post me propozimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane.  

Sot konfigurimi i aleancave në Kuvendin e Shqipërisë ka ndryshuar. Kam deklaruar se mbetem i gatshëm për të vijuar detyrën edhe në një mandat të dytë, por natyrisht që kjo varet nga Parlamenti. Unë nuk besoj në një pazar PS–PD, as PD–LSI. Por mund t’ju them në mënyrë publike dhe kategorike se nuk do ta pranoja të vijoja një mandat të dytë pa votat e LSI-së dhe kur them votat kam parasysh vendimin politik të kësaj force. Këtu besoj bien të gjitha hamendësimet”, tha Nishani. Pak ditë më parë, kur mbi tavolinën e tij të punës ishin tre emrat e propozuar nga Kryeministri Rama për ministra të rinj, mes të cilëve edhe Fatmir Xhafaj. Nuk munguan opinionet politike për një dorëheqje të Presidentit Nishani si refuzim ndaj propozimeve të kreut të qeverisë, por dorëheqja e presidentit nuk do t’i jepte atij mundësinë për të synuar një mandat të dytë presidencial.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat