Viti elektoral dhe rreziqet financiare, flasin ekonomistët

Shqipëria

Viti elektoral dhe rreziqet financiare, flasin ekonomistët

Më: 26 mars 2017 Në ora: 23:37
Perfundimi i fushates Berisha- Rama

Viti elektoral gjithnjë në Shqipëri ka mbartur rreziqe për ecurinë e ekonomisë në përgjithësi, si dhe për qëndrueshmërinë fiskale në veçanti.

Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka shprehur disa shqetësime dhe si rrjedhojë i ka lënë detyra shtëpie qeverisë shqiptare. Por, cilat pritet të jenë këto rreziqe dhe çfarë masash duhet të marrë qeveria? Për këtë qëllim, “SCAN MAGAZINE” i është drejtuar drejtorit ekzekutiv të Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi dhe zv/rektorit për kërkime shkencore në UET, Selami Xhepa.

 Cilat janë rreziqet për buxhetin dhe ekonominë në përgjithësi gjatë një viti elektoral?

Zef Preçi: Në vlerësimin tim, problemet e mbartura të buxhetit lidhen sa me bashkërendimin e dobët të politikave fiskale me ato monetare, aq edhe me ecurinë e ngadalshme të reformave strukturore në vend. Buxheti i vitit 2017 duket shumë i ngjashëm me buxhetet e viteve paraardhëse sa u takon përparësive zhvillimore, por me disa rreziqe të shtuara që lidhen me qënien vit elektoral, si dhe me rrezikun që vjen për shkak të të ashtuquajturit “Programi 1 miliard euro” i qeverisë, përndryshe i rritjes së fshehtë dhe të pakontrolluar të borxhit publik të vendit me të gjitha pasojat që sjell ky fenomen. Në një vit elektoral, siç provon edhe përvoja e derisotme e qeverisjes së financave publike në vendin tonë pas vitit 1990, qeveria tenton të copëtojë investimet dhe shpenzimet publike në projekte a vepra publike të vogla për të kënaqur interesat elektorale apo ndikimin e disa bizneseve në zona të caktuara të vendit. Kjo do të thotë se rrezikohet përdorimi me eficiencë i fondeve buxhetore, por edhe presionet korruptive të drejtuesve vendorë dhe bizneseve të lidhura me to bëhen më të larta dhe kushtëzuese për mbështetjen elektorale, sidomos në zonat ku diferenca e mbështetjes publike ndërmjet kampeve politike është e vogël dhe ku mendohet se “visible actions” mund ta përmbysin situatën në favor të partive qeverisëse. Në këtë mënyrë, buxheti i shtetit humbet disa nga përparësitë e shpallura, ndërsa fillojnë punimet në një numër investimesh publike që synojnë të krijojnë idenë e një “kantieri ndërtimi”. Një problem më vete, por më të vogël për nga rëndësia përbën edhe fakti se zakonisht në vitet elektorale një pjesë e mirë e fondeve të buxhetit të shtetit shpenzohen dhe investohen në gjysmën e parë të vitit, domethënë përpara datës së zgjedhjeve, duke krijuar probleme serioze në funksionimin normal të ofrimit të shërbimeve publike në gjysmën tjetë. Në këtë vit fiskal, rreziqet e “shthurjes” së buxhetit lidhen edhe me faktin se përgjithësisht administrata tatimore në periudhën parazgjedhore ndjek një “politikë” lehtësuese e favorizuese ndaj biznesve, por që ndryshon në kahjen e kundërt pas zgjedhjeve. Kjo edhe sepse bizneset “kontribuojnë” në financimin e fushatës, si dhe në vitet zgjedhore shfaqet prirja e rritjes së korrupsionit të favorizuar si nga frika e përkohshmërisë në detyrë e inspektorëve tatimorë, ashtu edhe nga shfrytëzimi i rrethanave që krijon fushata. Një rrethanë që sipas mendimit tim rrit edhe riskun e buxhetit për vitin elektoral 2017 është edhe statusi i sotëm i marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me FMN-në.

Selami Xhepa: Vitet elektorale kanë provuar se janë përgjithësisht problematike në Shqipëri. Edhe pse ligji mbi menaxhimin e buxhetit ka vendosur kufizime në praktikat e huamarrjes dhe prokurimeve publike në prag të fushatave elektorale, mbetet për t’u parë nëse këto kufizime do të funksionojnë në praktikë. Por, mendoj se rreziqet më të mëdha vijnë nga “shthurja” e disiplinës tatimore dhe rritjet e evazionit fiskal në periudha të tilla. Kjo mund të vërë në rrezik realizimin e të ardhurave dhe për pasojë edhe investimet publike të planifikuara. Një ndikim gjithashtu serioz mendoj se vjen nga ndikimi i fortë që ka ashpërsimi i klimës politike, që me të gjitha gjasat po shihet të materializohet në vendin tonë, në ecurinë e investimeve private, veçanërisht investimeve të huaja. Edhe deklarimet që vijnë nga segmente të caktuara të biznesit dhe shoqatave të investitorëve, janë serioze dhe shumë shqetësuese.

Të ardhurat në buxhet vijojnë të mos arrijnë nivelin e parashikuar në fillim të vitit. Sa real është rreziku që edhe këtë vit, kur do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, ky skenar të përsëritet?

Preçi: Problemi i mosrealizimit të të adhurave buxhetore mendoj se lidhet sa me performancën e dobët të ekonomisë në tërësi dhe të administratës fiskale në veçanti, aq edhe me planifikimin jorealist të të ardhurave buxhetore. Me keqardhje vërej se shtesa e të ardhurave buxhetore gjatë tre viteve të fundit ka ardhur kryesisht përmes rritjes së taksave dhe shumë më pak për shkak të zgjerimit të bazës së kontribuesve në tatime e taksa. Për më tepër që gjatë vitit 2016 është vënë re një rritje shqetësuese e numrit të bizneseve me status pasiv duke kaluar së bashku me bizneset e trashëguara në vite të kësaj kategorie gjysmën e bizneseve të regjistruara gjithsej të vendit. Kjo situatë dëshmon jo vetëm dështimin e të ashtuquajturit “aksion kundër informalitetit”, por edhe faktin se një pjesë e bizneseve janë duke shfrytëzuar hapësirat ligjore, sidomos ato që lidhen me klasifikimin e bizneseve, kufirin e përjashtimit nga TVSH, etj., për t’ju shmangur taksave, domethënë informaliteti është ende i pranishëm në një nivel të lartë. Duke qenë se në prag zgjedhjesh sipërmarrjet private janë nën presion për të “kontribuar” financiarisht dhe se ky kontribut shkon përgjithësisht në favor të partive qeverisëse (ndonëse zakonisht bizneset financojnë të dyja palët), por edhe se sipërmarrjet që kanë fituar tendera për punime, mallra apo shërbime publike janë nën një presion më të lartë për financime, edhe administrata tatimore është disi më “tolerante” në periudhën parazgjedhore.

Xhepa: Një nga problemet permanente të qeverive shqiptare gjatë viteve të fundit ka qenë planifikimi shumë optimist i të ardhurave buxhetore. Edhe qeveria aktuale, siç është vënë në dukje në mënyrë kritike në disa raporte të FMN-së, ka planifikuar në mënyrë sistematike të ardhura më të larta nga realizimet. Kjo sigurisht që ndikon shumë në cilësinë e shpenzimeve publike dhe është një nga ato fusha ku kërkohet të shënohen ndryshime të mëdha. Një nga risitë do të ishte nxjerrja e planifikimit të të ardhurave buxhetore nga kuadri i ministrisë së Financave, dhe mobilizimi i një ekipi ekspertësh jashtëqeveritarë që të realizojnë prognoza makroekonomike dhe fiskale më të paanshme. Ministria e Financave ka një konflikt interesi aktualisht, pasi është ky institucion që realizon si parashikimet dhe vendos planet, e po ashtu përgjigjet edhe për realizimin e tyre. Them se duhet eksperiementuar një risi e re institucionale, ndoshta duke i dhënë më shumë prioritet në këtë rast strukturave parlamentare, që ato të jenë në krye të procesit duke i vendosur objektiva më realiste edhe qeverisjes dhe duke monitoruar më mirë progresin e qeverisë në fushën e ekonomisë.

Borxhi publik ka arritur në mbi 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sa e mundur është arritja e një balance primare prej 0,7 për qind të PBB-së në buxhetin e vitit 2017 (dakordësia e qeverisë me misionin e fundit të FMN)?

Preçi: Problemi i uljes së borxhit publik pasi është rritur në mënyrë të pakontrolluar për fat të keq, bëhet gjithnjë e më serioz në një ekonomi që performon dobët si ekonomia jonë kombëtare. Edhe pse duhet konsideruar disi pozitiv fakti që gjatë viteve të fundit borxhi i ri është marrë jashtë vendit dhe kryesisht për të sistemuar borxhet e pafavorshme të administratës së mëparshme, vihet re se kjo nuk ka sjellë thuajse asnjë ndikim në zgjerimin e punësimit, në rritjen e prodhimit të brendshëm, apo në zgjerimin e kreditimit të ekonomisë nga bankat tregtare që veprojnë në vendin tonë. Shkaku kryesor i kësaj situate mendoj se ka qenë dhe mbetet vënia e borxhit në funksion të projekteve elektorale kryesisht të natyrës së “visible actions” si psh. qendrat e qyteteve përndryshe të njohura në retorikën poltike të qeverisë si “Rilindja urbane”, por që në thelb është shumë larg interesave imediate ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Kjo sepse në një ekonomi të dominuar dukshëm nga sektori privat, rezerva më e madhe për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror mbetet përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e fuqisë absorbuese të kësaj ekonomie sa u takon investimeve të huaja dhe përdorimi i parave publike si mjet për të nxitur punësimin, vetëpunësimin, biznesin familjar, etj. Në vlerësimin tim, për uljen e borxhit publik mendoj se rezerva më e madhe mbetet përmirësimi i përformancës fiskale me qëllim që të ulet gradualisht informaliteti përmes zgjerimit të bazës së kontribuesve dhe jo tkurrja e shpenzimeve publike.

Xhepa: Në fillim dua të them se rritja e borxhit publik në shifra mbi 72% të PBB-së gjatë tre viteve të fundit më duket e pajustifikuar. Për më tepër që impakti që ka patur huamarrja masive e shënuar në këto tre vite është shumë e dyshueshme nga pikëpamja e efektivitetit ekonomik. Sidoqoftë, fakti që për vitet në vazhdim është parashikuar një ulje e fortë e deficitit fiskal, jep shpresë që borxhi publik do të vihet në rrugën e uljes së tij në vitet në vazhdim. Nga ana tjetër, ruajtja e balancës fiskale primare në suficit është një kusht thelbësor për politikën e pagave dhe pensioneve dhe shpenzimet e tjera sociale të qeverisë. Në këtë kuptim, mendoj se ruajtja e këtij objektivi është shumë thelbësore dhe një instrument i fortë i kontrollit parlamentar mbi punën e ekzekutivit.

Qeveria ka deklaruar se do të vijojë të thellojë dhënien e shërbimeve në formën e partneritetit publik-privat. Cilat janë rreziqet afatshkurtra për ekonominë?

Preçi: Dhënia e shërbimeve të tilla bazë të shtetit në duart e operatorëve ekonomikë privatë është përgjithësisht e dështuar dhe tejet e rrezikshme për financat publike dhe për funksionimin normal të ekonomisë, ndjekja me kokëfortësi e një politike të tillë nga ana e qeverisë provon jo vetëm mosnjohjen e realitetit ekonomik dhe rreziqeve që e shoqërojnë këtë proces, por edhe është një tregues se fenomeni i “kapjes së shtetit” është prezent, duke qenë kështu një kërcënim serioz për vetë normalitetin dhe funksionalitetin demokratik të vendit. Në fund të fundit, duhet kuptuar se fuqizimi ekonomik me risk zero i klientëve të qeverisë përmes “privatizimit” prej tyre të shërbimeve tradicionale të shtetit duke sjellë rritjen e kostos së këtyre shërbimeve, si dhe të kushtëzimeve ligjore e procedurale që “blindojnë” interesat oligarkike që qëndrojnë pas tyre, nuk sjell asgjë të mirë për taksapaguesin shqiptar as sot dhe as në perspektivë. Rreziku afatshkurtër në rastin e të ashtuquajturave “partneritete publike-private” qëndron në faktin se qeveritë pasuese do të gjejnë gjithçka të “akaparuar” nga qeveria paraardhëse, domethënë një shumë fondesh shtetërore në rritje nga të ardhurat buxhetore që do të mblidhen në vitet përkatëse dhe borxhet korrente do të jetë i destinuar të shkojë në përmbushjen e kontratave të kësaj natyre, madje edhe kur shërbimet as që ofrohen fare nga kompanitë. Pra, qeveria që i nënshkruan, në fakt vështirëson veprimtarinë normale dhe parapërcakton destinacionin e fondeve buxhetore të qeverisë apo të qeverive pasardhëse. Do të ishte naive të mendohej se shërbimet publike tradicionale apo të natyrës monopol mund të kushtojnë më lirë duke i ofruar sektorit privat, kur dihet që ky i fundit, përveç kostos duhet të paguajë taksat dhe të sigurojë edhe fitim, etj. Një shqetësim më vete, por edhe një rrezik afatmesëm dhe afatgjatë në të vërtetë, përbën edhe fakti se përherë e më shumë qytetarët dhe bizneset shqiptare po paguajnë për shërbime publike të ofruara nga operatorët privatë (koncesione apo “partneritete publike-private”), të cilat as që iu ofrohen nga klientët e qeverisë aktuale apo asaj të mëparshme. Të paguash për një shërbim që nuk të ofrohet dhe që nuk e merr fare siç është psh. rasti i skanimit të kontejnerëve në doganat shqiptare (RAPISCAN) është jo vetëm rritje e kostos së të bërit biznes në 2%-3% në këtë rast, por edhe shkelje e Kushtetutës së vendit dhe madje edhe e konventave ndërkombëtare në të cilat vendi ynë është palë. Gjithashtu është shqetësues fakti se një numër në rritje i kontratave koncesionare në shfrytëzimin e burimeve natyrore të naftës dhe gazit janë nënshkruar me kompani “off-shore” apo të krijuara enkas për të hyrë në tregun shqiptar. Vitet e fundit vihet re se rritja e numrit të këtyre kompanive po shoqërohet me shtimin e volumit të naftës dhe të gazit të nxjerrë nga nëntoka, me shfrytëzimin agresiv të burimeve të shoqëruar me probleme serioze në ndotjen e ambjentit dhe dëmtimin e mjedisit dhe burimeve të jetesës së fermerëve të zonës, por edhe me pakësimin e dukshëm të të ardhurave apo përfitimeve të ekonomisë kombëtare nga aktivitete të tilla.

Xhepa: Rruga e partneritetit publik-privat ka provuar se mbart plot rreziqe serioze, së pari mbi qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe së dyti mbi cilësinë e qeverisjes. Duke qenë se këto kontrata janë borxhe të nënkuptuara për qeveritë, e bën çështjen e borxhit publik sërish një shqetësim të fortë. Nga ana tjetër, duke qenë se projekte të tilla hartohen nga sipërmarrësit privatë, përgjithësisht ato janë projekte të fryra në termat financiarë, dhe duke qenë se prokurimi i tyre nuk i nënshtrohet procedurave ligjore të ligjit mbi prokurimet publike, por do të themelohen procedura ekstraligjore, mundësitë e përhapjes së prakktikave korruptive në raste të tilla janë shumë shqetësuese. Duke patur parasysh që korrupsioni është rreziku më serioz që vazhdon të mbajë shoqërinë shqiptare në “darën” e moszhvillimit, mendoj se përhapja e praktikave të tilla jo vetëm nuk do ta ndihmonte shoqërinë, përkundrazi do ndikonte që vendi të ruante renditje përkeqësuese në indikatorët e matjes së klimës së biznesit.

Në deklaratën e tij misioni i fundit i FMN nënvizon se: “Rritja e PBB-së pritet të ketë arritur në 3,4 për qind në vitin 2016 dhe parashikohet të përshpejtohet në rreth 4 për qind në periudhën afatmesme, e mbështetur kryesisht tek investimet e mëdha të huaja të direkte të lidhura me energjetikën dhe te një rritje e kërkesës së brendshme”. Duke i njohur mirë sjelljet e qeverive në Shqipëri në një vit elektoral, sa mundësi ka që këto parashikime të FMN-së të realizohen?

Preçi: Pavarësisht gjuhës së kujdesshme, tipike për FMN-në, mendoj se problemet që lidhen me thithjen e investimeve të huaja direkte janë më serioze se sa mendohet. Kjo sepse vendi ynë po bëhet më pak atraktiv se më parë, klima e biznesit mbetet problematike (nuk flas për amendimet ligjore që qeveria i bën “brenda natës”, por për zbatimin e tyre) dhe se prania e kompanive “brand names” apo nga vendet e BE-së është zëvendësuar tashmë nga kompani kineze… Mendoj se ka vend për rishikimin e politikave fiskale në tërësi, sidomos sa i takon avantazheve krahasuese dhe konkurruese të vendit, për një qasje më të mirë me përvojat e vendeve fqinje dhe gjetjen e nxitësve përkatës që ofrojnë investime të huaja direkte në vend. Gjithashtu, duhet vlerësuar pozitivisht futja e ekonomisë së vendit në një trend rritës pozitiv, por po kaq e rëndësishme mbetet që rritja të vijë nga zgjerimi i punësimit në vend dhe të kontribuojë në uljen e papunësisë, që prodhimi vendas të rritet realisht dhe kështu edhe fuqia eksportuese e konkurruese e ekonomisë sonë kombëtare. Dmth. vendi ynë duhet të kapërcejë fazën e sotme që për rreth çerek shekulli ka funksionuar si një ekonomi e tipit post-kolonial, që eksporton lëndë të para të papërpunuara dhe fuqi punëtore të lirë. Për këtë qeveria nevojitet të ndërmarrë reforma serioze që inkurajojnë jo vetëm futjen në qarkullimin ekonomik të pasurive natyrore, monetare e njerëzore të vendit, por edhe kthejnë sytë nga zhvillimi i sektorëve të tillë si bujqësia, turizmi, industria e lehtë dhe ushqimore, etj.

Xhepa: Siç edhe e nënvizova më sipër, rreziqet që ndeshim gjatë këtij viti, veçanërisht nga ashpërsimi i klimës politike në vend, do të vënë në pikëpyetje realizimin e të ardhurave dhe të vetë shifrës së rritjes ekonomike. Mendoj se bazimi i rritjes ekonomike vetëm tek një projekt energjetik, siç është “TAP“, është i ekzagjeruar dhe i pagjetur, pasi efekti i tij në punësim dhe në tërësi në kërkesën e brendshme agregate ekonomike është shumë modest. Shpresojmë që pas zgjedhjeve, situata të normalizohet duke krijuar mundësi të forta për një sezon të mirë turistik, që mund të jetë dhe faktori udhëheqës i rritjes ekonomike për këtë vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat