Qeveria vendos për rritjen e dytë të pensioneve

Shqipëria

Qeveria vendos për rritjen e dytë të pensioneve

Më: 27 mars 2017 Në ora: 08:44
Pensionistët shqiptarë

Qeveria do të rrisë edhe një herë pensionet brenda vitit 2017.

Vendimi për indeksimin e pensioneve është parashikuar të miratohet nga qeveria në korrik, ndërsa rritja propozohet në zbatim të ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Qëllimi i projektligjit sipas qeverisë është indeksimi i masës së pensionit për të gjitha kategoritë, si në qytet ashtu edhe në fshat. Me anë të këtij vendimi qeveria synon, “Pensione të indeksuara në varësi të ndryshimit të indeksit të çmimeve në harkun vjetor”. Pra, bëhet fjalë për indeksimin e pensioneve për vitin 2017. Në fakt, duket se ka një përplasje me indeksimin e miratuar në mars të këtij viti. Por duhet theksuar se indeksimi i marsit, pra rritja me 3 për qind e pensioneve, u bë për çmimet e vitit të kaluar. Çdo vit të mëparshëm, qeveria i ka indeksuar pensionet në korrik. Nga ana tjetër, skema e re, pra shporta e mallrave që konsumojnë pensionistët, ka ndryshuar, dhe për herë të parë, ndryshe nga inflacioni që ka dalë nën 2 për qind, pensionet u rritën me 3 për qind. Pra, shporta e pensionistit pati një rritje të çmimeve vjetore më të madhe sesa indeksi i inflacionit. Qartësisht qeveria me rritjen 3 për qind në mars, vetëm kompensoi shtesën e mangët prej 1.6 për qind të korrikut 2016. Ligjërisht, në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare thuhet që do të ketë një indeksim të pensioneve në korrik të vitit 2017.

Indeksimi

A do të ketë rritje apo vetëm shtesë sa inflacioni? Zgjidhja për rritjen e pensioneve është e thjeshtë, një skemë kontributesh pozitive. Parimet dhe dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, u përcaktojnë detyrime qeverisë dhe organizmave që në procesin e zbatimit të tij të garantohet ruajtja e të drejtave të fituara, dhe ndër të tjera ruajtja në kohë e masës reale mujore të pensioneve. Kjo nënkupton detyrimin që rregullisht, në intervale të përcaktuara kohe, masat e pensioneve të caktuara më parë duhet të indeksohen së paku në atë masë sa rezulton ndryshimi i indeksit të çmimeve, me qëllim që të kompensohet ndikimi negativ i tij mbi madhësinë reale të pensionit dhe rrjedhimisht, fuqia blerëse e tij të mbetet e pandryshuar në kohë. Në mënyrë konkrete, në nenin 61, “Indeksimi”, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 (i ndryshuar), përcaktohet: “Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit”. Në zbatim të kërkesave të këtij ligji, ISSH-së i ngarkohet detyra që në bashkëpunim me organe të tjera të specializuara si INSTAT, të përcaktojë shportën e mallrave dhe të shërbimeve jetësore të pensionistit. Kjo shportë mallrash dhe shërbimesh detyrimisht është e ndryshme nga shporta e mallrave dhe shërbimeve të zgjedhura për përllogaritjen e ndryshimit të indeksit të përgjithshëm të çmimeve, sepse në radhë të parë nevojat jetësore të pensionistëve janë të ndryshme nga ato të grupeve të popullsisë në moshë pune, apo të popullsisë së re dhe, së dyti, struktura e shpenzimeve të familjeve me dy pensionistë ndryshon dukshëm nga familjet e tjera, kjo për shkak edhe të masës relativisht të ulet të të ardhurave të këtyre familjeve. Gjithashtu, zbatimi i kërkesave të nr. 7703, datë 11.05.1993 (i ndryshuar), përcakton edhe detyrimin që pas përllogaritjes së indeksit të ndryshimit të çmimeve, Qeveria duhet të indeksojë periodikisht pensionet e të gjitha llojeve dhe kategorive. Pas vitit 1991, me ndryshimet e thella ekonomiko-sociale, u shfaqën dukuritë e inflacionit, madje në disa raste galopante, siç janë ato të vitit 1992-1993 dhe 1996-1998 e më tej, të cilat gërryen dhe ulën ndjeshëm fuqinë blerëse të pensionit mujor, duke e bërë atë në shumë vite edhe të pamjaftueshëm për të siguruar nevojat minimale.

Trashëgimtarët marrin dy këste në muaj

Trashëgimtarët e ish të përndjekurve politikë janë të vetmit që nuk kanë mundur të përfitojnë dëmshpërblimet sipas ligjit. Kjo për arsyen e thjeshtë se përparësi ju është dhënë dëmshpërblimeve për ish të dënuarit që janë aktualisht gjallë, e më pas do të jenë trashëgimtarët e tyre që do të përfitojnë. Pjesa më e madhe e fondit që ka miratuar qeveria për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve shkon për kategorinë e atyre që kanë qenë të dënuar dhe që jetojnë, kjo ka bërë që të kemi një bllokim të procesit për trashëgimtarët. Për këta të fundit ende nuk është mbyllur dhënia e këstit të parë dhe të dytë. Një numër i madh trashëgimtarësh kanë marrë këstin e parë dhe një pjesë ka marrë edhe këstin e dytë, por procesi ka ngecur. Edhe pse jemi në muajt e parë të vitit 2017 një numër i vogël i trashëgimtarëve ka mundur që të përfitojë dëmshpërblimet. Por një lajm i mirë vjen për trashëgimtarët të cilët nuk kanë mundur të marrin asnjë këst të dëmshpërblimit të tyre. Shpërndarja këstesh do të kemi gjatë muajit Maj ku do të kenë mundësi të përfitojnë të gjithë ata persona trashëgimtarë që kanë dorëzuar dokumentacionin në rregull dhe presin për të marrë këstin e parë apo të dytë.

Pagesat

Të gjithë trashëgimtarët për pagesën e këstit të parë dhe të dytë duhet të dërgojnë në strukturën përgjegjëse të Ministrisë së Financave dokumentet e parashikuara  në aktet nënligjore. Kur një trashëgimtar refuzon të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar, forma e refuzimit duhet të jetë me shkrim. Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të listës nga Ministria e Financave. Dokumentacioni që duhet të dërgohen  në Ministrinë e Financave, për shpërndarjen e këstit të dytë janë: 1. Numrat e llogarisë bankare në lekë për çdo trashëgimtar, ose për personin e autorizuar që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit. 2. Dokument identiteti (kopje Letërnjoftimi, Pasaporte) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit.  Pagesat e këstit të dytë, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit të dërguar për pagesën e këstit të parë, kur nuk ka: 1) kontestim, nga rrethi i familjarëve, trashëgimtarët; 2) nuk ka ndryshime të statusit të ish të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve, jetojnë; 3) nuk ka revokim të prokurës së posaçme. Kur trashëgimtarët, sipas këtij ligji, kontestojnë ose ka ndryshime të statusit, nuk jetojnë, dokumentacioni që duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave, janë ato të trajtuara në materialin me titull: Dokumentet që duhen dërguar për pagesën e dëmshpërblimit  për trashëgimtarët. Kur trashëgimtarët, sipas këtij ligji, e revokojnë delegimin me prokurë, dokumentacioni që duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave janë: 1. Revokimi i prokurës, origjinale; 2. Nr. Llogarie bankare në lekë për çdo trashëgimtar; 3. Dokument identiteti (kopje Letërnjoftimi, Pasaporte) për çdo trashëgimtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat