Kush po i përgjon politikanët shqiptar? Gazetari zbulon detaje shokuese: Ja hoteli nga punonte izraeliti

Shqipëria

Kush po i përgjon politikanët shqiptar? Gazetari zbulon detaje shokuese: Ja hoteli nga punonte izraeliti

Më: 27 mars 2017 Në ora: 17:51
Ilustrim

Gazetari investigativ Artan Hoxha flet për pajisjen misterioze me të cilën u ndalua të premten në aeroportin e Rinasit detektivi izraelit, 51-vjeçari Yoram Frig dhe konfirmon se ajo ishte një pajisje që zbulon përgjuesit.

Hoxha ka zbuluar detaje të reja mbi aktivitetin e izraelitit në vendin tonë, i ftuar sot në rubrikën “Opinion”  kur tha se Frig e ka vizituar 4 herë Shqipërinë, dy herë i kontaktuar nga politikani dhe biznesmeni Tom Doshi dhe dy herë të tjera ende të pakonfirmuara. Sipas Hoxhës, ka shumë mundësi që pjesë e punës së izrealitit që zbulon “çimka” të jetë bërë edhe një hotel në zemër të Bllokut, ku takohen politikanë e biznesmenë. Gazetari jep alarmin se kohët e fundit në vend po shtohen përgjimet e paligjshme dhe se kjo nuk është një situatë normale. 

“Tom Doshi e ka kontaktuar pas dyshimeve se në automjet ka pasur dyshime që mund t’i jetë vendosur përgjues dhe tjetra është zyra e tij, pasi ai drejton kompaninë më të madhe farmaceutike në vend. Për të qenë i sigurt se ambientet janë të pastra, pra nuk ka përgjues ambientalë, ai ka punësuar izraelitin. Nuk i dimë rezultatet, e ka kontaktuar edhe para 3 muajsh, kjo është hera e dytë që vjen i kontaktuar nga Tom Doshi, dy herët e tjera nuk ka thënë për kë ka ardhur. Por mund t’ju them se janë kontrolluar edhe ambientet në zonën e Bllokut, është një hotel në zemër të Bllokut, qëndrojnë politikanë e biznesmenë, kryejnë biseda me personazhe të ndryshme. Është kontrolluar ky ambient dhe dy tre ambiente të tjera se kanë pasur dyshime që po përgjohen jo nga shërbime zyrtare të ligjshme, por që po përgjohen në mënyrë të paligjshme. Ky panik, ky alert dëshmon që jemi në një situatë që nuk duket fare normale”.

Ndërkohë që gazetari Hoxha ka dhënë edhe një deklaratë tjetër shokuese në lidhje me dy pajisje të tjera përgjimi që kanë hyrë në vendin tonë, por për të  cilat nuk ka detaje. 

Hoxha theksoi se vlera e këtyre pajisjeve është me një vlerë prej 400-500 mijë dollarësh që përdoren nga biznesmenë apo politikanë për përgjim. Ndër të tjera ai tha se pajisja e izraelitit kapte vlerën e 18 mijë eurove. 

“Nëse janë përgjigje që cenojnë sigurinë kombëtare do ishin problematike. Akuzat që i janë veshur izraelitit, janë; së pari për akuza të lehta; kontrabandë, përgjimi i paligjshëm, hyrja e pa autorizuar me atë pajisje dhe hyrja e paautorizuar në të dhëna. Pajisja është me një çmim prej 18 mijë euro. Ajo shpërben për të parë nëse një ambient shihet nëse ka valë që përdoren për përgjime dhe i identifikon ato. Duke nisur nga kryeministri e me radhë, në automjetet e tyre, ato përdorin pajisje bllokuese, e kam parë dhe tek biznesmenë të fuqishëm. Është një bllokues valësh që biseda të mos dëgjohet. Kam parë që disa politikanë të rëndësishëm përdorim muzikën e lartë të kasetofonit. Sidomos takimet e politikanëve bëhet në det, 100 m larg. Kam informacione se kanë qenë dy pajisje që kanë hyrë në Shqipëri, që shkonin në 400-500 mijë dollarë”, theksoi Hoxha.

Po ashtu, Hoxha i bëri thirrje organeve të hetimit që përveç rastit të shtetasit izraelit, të hetojë dhe për grupe të tjera që kanë futur pajisje përgjimi shumë të shtrenjta. “Pajisje që janë në përdorim të grupeve private të interesit apo dhe nga politikanë. Pajisja është shumë e vogël dhe ka një rreze përgjimi 3 km. Nëse e vë afër çadrës psh, dëgjon se çfarë thuhet brenda çadrës, në Kuvend, apo dhe në Kryeministri. Pajisja është blerë në Izrael, që ka ardhur specialisti prej andej dhe ka trajnuar shqiptarë. I bëj apel organeve të hetimit, që të hetojë se kush është personi, apo dhe kush janë grupet e personave që kanë sjellë së fundmi pajisje të tilla. Ne nuk e dimë nëse ai ka zbuluar këtë gjë. Atij i është marrë pasaporta dhe qëndron në Sheraton”, përfundoi Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat