Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pikat ku iu dha e drejtë Aldo Bares

Shqipëria

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pikat ku iu dha e drejtë Aldo Bares

Më: 28 mars 2017 Në ora: 08:46
Aldo Bare

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Aldo Baren, një prej personazheve të botës së krimit, dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit me burgim të përjetshëm. Është një vendim i dhënë pjesërisht në favor të të dënuarit.  Në vendimin e arsyetuar i lihet detyrë Gjykatës së Lartë të rimarrë në shqyrtim të gjitha pretendimet e të dënuarit Aldo Bare, lidhur me pakënaqësitë që ai shpreh për dy shkallët e tjera të gjykimit. Kolegji i kësaj gjykate i përbërë nga shtatë anëtarë në dhënien e vendimit është ndarë në votim 5 me 2. Pra 5 prej tyre kanë qenë dakord që vendimi i Gjykatës së Lartë i datës 2 korrik 2015 të prishej pjesërisht, ndërsa 2 anëtarë ishin kundër.

  Relatori i kësaj çështje ka qenë gjyqtari Fatos Lulo. Në vendimin përfundimtar thuhet se Bare kërkoi shfuqizimin e vendimeve objekt shqyrtimi me pretendimin se këto vendime i kanë cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Sipas tij, ai nuk është njoftuar në mënyrën e duhur për akuzën dhe aktet në dosjen hetimore në ngarkim të tij. Ai ka pretenduar se i është cenuar e drejta për tu gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, nuk është pranuar kërkesa e tij për gjykim të shkurtuar, nuk është gjykuar nga një gjykatë e paanshme. Të gjitha këtyre pretendimeve të Aldo Bares, Gjykata e Lartë nuk i dha përgjigje në korrik të vitit 2015, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm. Por për Gjykatën Kushtetuese, dhoma e këshillimit në Gjykatën e lartë ka gabuar. Kushtetuesja argumenton se Gjykata e Lartë, duhet patjetër të merrte në shqyrtim rekursin e Aldo Bares, duke pasur parasysh se kërkesat e tij kanë qenë kushtetuese.

Argumentet e Kushtetueses          

Kolegji Penal i Gjykatës Kushtetuese është shprehur se Aldo Bare përmes mbrojtësve ligjor ka kërkuar nga Gjykata e Lartë shqyrtimin e disa pretendimeve që kanë të bëjnë me shkeljen e parimeve themelore të procesit gjyqësor. Por kjo gjykatë, sipas saj, nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të të dënuarit.  Sipas vendimit, kontrolli kushtetues që ajo ushtron ndaj vendimeve gjyqësore është i kufizuar vetëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të çdo individi për një proces të rregullt ligjor.

Në këtë vështrim, Gjykata mund të vlerësojë mënyrën e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit, që në parim u takon gjykatave të sistemit të zakonshëm, vetëm nëse përmes këtij procesi janë cenuar të drejtat kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor. Në këto raste Gjykata analizon ligjin, faktin dhe rrethanën përkatëse në atë dimension që ka ndikim mbi të drejtat dhe liritë e parashikuara nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së, gjë që përbën juridiksionin e saj kushtetues.

Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Gjykata e Lartë, rast pas rasti, duhet t’u japë përgjigje problemeve ligjore, që në praktikë lidhen me interpretimin e ligjit. Sipas saj, në të tilla raste kërkuesi duke mos marrë përgjigje për pretendimet e tij me natyrë kushtetuese, për shkak të vendimit të mospranimit të rekursit, i cenohet jo vetëm e drejta e aksesit, por edhe e drejta e ankimit në kuptimin substancial, e parashikuar në nenin 43 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet gjithashtu se, e drejta e individit për t’iu drejtuar gjykatës nuk përfshin vetëm të drejtën për të hapur një proces, por edhe të drejtën për të pasur, nga ana e gjykatës, një zgjidhje përfundimtare në lidhje me mosmarrëveshjen objekt gjykimi. Kushtetuesja në këtë drejtim ka theksuar se është kompetencë e Kolegjit Civil/Penal (dhoma e këshillimit) të analizojë dhe vlerësojë nëse shkaqet e ngritura në rekurs janë në përputhje me kërkesat e ligjit. Gjykata ka theksuar se standardet kushtetuese për një proces të rregullt ligjor duhen respektuar në të gjitha fazat e gjykimit, përfshirë këtu shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë në dhomën e këshillimit.

Gjykata Kushtetuese, i ka argumentuar të gjitha pretendimet e Aldo Bares, duke i dhënë të drejtë vetëm në një pjesë. Ajo është shprehur se kërkesat e tij kanë qenë të natyrës kushtetuese, dhe në këto kushte Gjykata e Lartë, duhet të ishte investuar dhe t’i kishte marrë në konsideratë, pra t’i shqyrtonte. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj është shprehur se nuk është dakord me vendimin e dhomës së këshillimit të Gjykatës së Lartë, e cila nuk ka pranuar rekursin e Aldo Bares, duke lënë në fuqi vendimet e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit.

Gjykata vlerëson se, përderisa në rekurs ishin ngritur pretendime me natyrë kushtetuese, Gjykata e Lartë duhej të shprehej për to në respektim të rolit të saj kontrollues si gjykatë ligji. Si përfundim, nisur nga sa më sipër, Gjykata çmon se në çështjen e kërkuesit Gjykata e Lartë ka lejuar një proces të parregullt ligjor, pasi është mohuar aksesi në kuptimin substancial duke mos marrë përgjigje për pretendimet e ngritura prej tij, në kuptim të neneve 42 dhe 43 të Kushtetutës, për respektimin e standardeve kushtetuese të procesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat