‘Euro për ata lart’, si e përdori juristja emrin e ish-ministrit shqiptar

Shqipëria

‘Euro për ata lart’, si e përdori juristja emrin e ish-ministrit shqiptar

Më: 28 mars 2017 Në ora: 11:08
Amarilda Leka

Amarilda Leka, 30- vjeçarja e akuzuar për marrjen e 42 mijë eurove nga familjarë të personave të arrestuar duke u premtuar ndërmjetësim te gjyqtarët për t’i liruar nga burgu, ka përdorur emrin një ish ministri Mbrojtjeje.

“Panorama” ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Tiranës ndaj Lekës dhe dy të bashkëpandehurve të saj, ku dalin në dritë detaje të reja të historisë. Referuar verdiktit final të gjykatës, në të paktën një prej tri rasteve për të cilat ajo ka pranuar se ka marrë shuma parash, e pandehura Leka është prezantuar si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga.

Nga vendimi ka rezultuar se Leka, ish-sekretare në shtabin elektoral të ministres Milena Harito, ka krijuar kontakt me familjarët e personave të arrestuar përmes njohjeve të përbashkëta.

Më tej, duke iu prezantuar si avokate e zonja dhe që kishte njohje me gjyqtarët, ajo u ka premtuar pafajësi dhe lirimin nga qelitë të të afërmve të tyre kundrejt shumave të parave, që mendohej se do të jepeshin si “ryshfet” në gjykatës.

Image
Amarilda Leka

Leka ka pranuar para prokurorëve se në këtë mënyrë, gjatë vitit 2015 ka marrë në tri raste shuma parash nga 24 mijë e 500 euro, 18 mijë euro dhe 8 mijë euro. Nga ana tjetër, megjithëse i kanë paguar shumat e kërkuara te Leka dhe kjo u ka thënë të presin të afërmit te dera e burgut, asnjëri nga ata nuk ka lënë qelitë.

Për këtë shkak, ajo u kallëzua prej tyre, dy prej të cilëve, Liman K. dhe Zef Gj., u morën në përgjegjësi penale për “ushtrim të ndikimit të jashtëligjshëm”. Ata u gjykuan në të njëjtën dosje me Amarilda Lekën, ku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 muaj burg, dënim që u zëvendësua me 18 muaj liri me kusht. Për këtë akuzë dhe për “kallëzim të rremë”, Leka u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg.

“E reja e ministrit”

Sipas vendimit të gjykatës, Leka është prezantuar si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes te Liman K., i cili e kallëzoi 30-vjeçaren për dhënien e një shumë prej 18 mijë eurosh.

Ky i fundit, i cili u gjykua si i bashkëpandehur me Lekën për “ushtrim të ndikimit të jashtëligjshëm”, e kishte gjetur atë përmes një taksisti. Duke iu referuar kallëzimit të Liman K., gjykata shprehej në vendim:

“Ky person në maj 2015 ka njohur shtetasen Amarilda Leka, të prezantuar me emrin Ilda Leka, nëpërmjet shtetasit P.Gj. Ky i fundit është shofer taksie dhe shtetasen Amarilda e ka kliente të rregullt. Në bisedat që janë zhvilluar lidhur me personin e arrestuar, shtetasi P.Gj. i ka thënë kallëzuesit se shtetasja Amarilda është një avokate e zonja. Në këto kushte është bërë dhe prezantimi i kallëzuesit me të ndaluarën.

Kjo e fundit është prezantuar si bashkëshortja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Gjithashtu, ajo i ka thënë kallëzuesit se më parë ka punuar më parë në Vlorë dhe për këtë arsye ka njohje shumë të forta me gjyqtarin e çështjes.

E ndaluara ka marrë përsipër të ndikonte te gjyqtari për të deklaruar të pafajshëm djalin e kallëzuesit. Shtetasja Amarilda Leka fillimisht ka kërkuar të marrë shumën 10 mijë euro, duke e kërkuar këtë shumë si paradhënie për gjyqtarin.

Nuk dha ryshfet                        

Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit, Amarilda Leka ka pohuar se i ka dorëzuar shumat e parave që do të shërbenin si “ryshfet” për gjyqtarët te një sekretare e Gjykatës për Krimet e Rënda, si edhe te një sekretare në Gjykatën e Lartë.

Gjykata në arsyetimin e vendimit ka vlerësuar se nuk provohet që këto shuma parash të jenë dhënë nga ana e saj. “Për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të thënieve, deklarimet e shtetases Amarilda lidhur me dhënien e parave te persona të ndryshëm janë të pabesueshme.

Për më shumë që këto thënie bien në kundërshtim me gjithë provat e tjera të administruara. Bazuar në këto të dhëna krijohet bindje e bazuar në prova se shtetasja Amarilda Leka ka konsumuar veprat penale të “kallëzimit të rremë” dhe “ushtrim i ndikimit të jashtëligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”, thuhej në vendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat