U tall me priftërinjtë, qeveria letër Komunitetit Mysliman: Shkarkoni imamin Ahmed Kalaja

Shqipëria

U tall me priftërinjtë, qeveria letër Komunitetit Mysliman: Shkarkoni imamin Ahmed Kalaja

Më: 28 mars 2017 Në ora: 18:30
Imami Ahmed Kalaja

Videoja e publikuar në rrjetet sociale ku futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku dhe Andi Lila, shfaqeshin në dhomën e një hoteli duke u tallur me përfaqësuesit e klerit ortodoks është bërë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta. Por nëse dy futbollistët ia hodhën “paq”, pasoja pritet të ketë për autorin e kësaj video, imamin Ahmed Kalaja. Burime nga Komuniteti Mysliman Shqiptar pohuan për “Balkan Web” se ditën e djeshme Komiteti Shtetëror për Kultet iu ka kërkuar zyrtarisht me anë të një letre, shkarkimin e Ahmed Kalasë nga detyra e imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në kryeqytet.

Të njëjtat burime pohojnë për “Balkan Web” se kërkesa e Komitetit të Kulteve mbështetet mbi argumentin se me anë të kësaj videoje, imam Ahmed Kalaj ka cenuar dhe prishur me dashje harmoninë ndërfetare në vend. Burimet nga KMSH thanë për “Balkan Web” se shumë shpejt do të thirret dhe një mbledhje ku do të merret edhe vendimi për imamin, Ahmed Kalaja, pa saktësuar nëse ai do të shkarkohet apo jo nga kjo detyrë e lartë fetare.

Kujtojmë se pas publikimit të videos dhe debatit që ajo shkaktoi në opinionin publik, imami Ahmed Kalaja me anë të një postimi në “Facebook” kërkoi ndjesë për gjithçka ka ndodhur. Ai theksoi se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve te tjera fetare, të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit. Por duket se as ndjesa publike nuk iu ka mjaftuar autoriteteve shtetërore që të kërkojnë nga Komuniteti Mysliman penalizimin e tij. Në prag të ndeshjes me Italinë, dy lojtarë të Kombëtares, Andi Lila dhe Armando Sadiku u përfshirë në një videoskandal, bashkë me hoxhën Ahmed Kalaja, ku tallen me besimin fetar të krishterë. Biseda u zhvillua në një dhomë hoteli, kur imami Ahmed Kalaja kishte shkuar për t’i vizituar.

Ndonëse ka qenë imami Kalaja ai që e nxit Lilën të tregojë historitë me priftërinj në skuadrën greke ku luan (PAS Giannina), ky i fundit nuk hezitoi t’i tregojë një episod, kur prifti hyn në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë i puthin dorën. Duke u tallur me vizitat e shpeshta të priftërinjve tek skuadra ku luan, Lila shtonte se ai nuk e ka bërë një veprim të tillë, pra që t’i puthte dorën. Tregimi i tij shoqërohej me të qeshura si nga Sadiku ashtu edhe nga imami Ahmed Kalaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat