Shfaqet sërish në skenë Tom Doshi: Dëshmitarëve u rrezikohet jeta

Shqipëria

Shfaqet sërish në skenë Tom Doshi: Dëshmitarëve u rrezikohet jeta

Më: 29 mars 2017 Në ora: 08:18
Tom Doshi

Projektligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë” ka shkaktuar debate në komision me deputetët e Partisë Socialiste.

Nisma e hartuar nga deputetët parashikon që pjesë e komisionit që do të vlerësojë rastet e dëshmitarëve të mbrojtur të jenë edhe institucionet e reja, si përfaqësues të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë, dhe Prokurorët e Posaçëm Antikorrupsion, raporton “Panorama”.

Por ky përafrim i legjislacionit, në kuadër të Reformës në Drejtësi, nuk është pritur mirë nga deputeti socialist Tom Doshi.

Ky i fundit ka kërkuar që ligji të mos mjaftohej vetëm me ndryshime të vogla teknike, por të zgjidhte problemet që, sipas tij, kanë dëshmitarët e mbrojtur.

Për Tom Doshin, dëshmitarët e mbrojtur nga Policia janë lënë rrugëve dhe po u kanoset jeta.

“Kena pa nji dëshmitar të mbrojtun që ka ken në Itali, që e kishin lënë rrugëve. Pra kishte bashkëpunuar me Policinë e Shtetit në atë kohë. Po me këta njerëz që kanë ken, ça do bahet, kur ky ligj të hyjë në fuqi? Ka pas raste që është ndërruar identiteti i dëshmitarit të mbrojtur dhe kjo është bërë në bashkëpunim me vendet partnere, siç është Italia apo Gjermania. 
Ka pas raste që dëshmitari i mbrojtur ka mbetur rrugëve, pra kur bashkëpunon me prokurorinë, me ligj ka ken që të shkollohen fëmijët e tij, të ketë banesë për të. Kurse pas dy- tre vjetësh ka raste në atë kohë, kur Agron Kuliçi i ka manipuluar njerëzit, kanë shkuar në Itali dhe kanë ngel rrugëve.”, ka thënë Doshi gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.

Deputeti i Shkodrës është shprehur më tej se policët gjyqësorë nuk duhet të kenë shumë kompetenca për dëshmitarët e mbrojtur, pasi sipas tij ata mashtrojnë dëshmitarët.

“Unë për vete propozoj që kur tjetri bëhet bashkëpunëtor, mos t’i jepet kaq kompetencë Policisë së Shtetit, por të jetë prezent edhe prokurori, gjyqtari, dhe përfaqësuesi i Policisë. 
Pra mos t’i japin kaq shumë pushtet Policisë në këtë rast, sepse këtu bëhet fjalë për jetën e njerëzve. Ai tjetri vjen e dëshmon në gjyq dhe nesër dalin dhe i kërcënojnë fëmijët apo gruan, mund ta ekzekutojnë. Në këtë rast që mos e pësojë, kanë shumë kompetencë dhe oficerat e Policisë Gjyqësore sot. Ata s’kanë asnji kompetencë, por i mashtrojnë dëshmitarët”, ka thënë Doshi. Por ekspertja ligjore, Drita Rreshka, tha gjatë mbledhjes se ligji trajton vetëm ndryshime teknike dhe për rastin e dëshmitarëve të mbrojtur, ligji është i plotë dhe reflekton standardet perëndimore.

Por Doshi ka vijuar replikën. “A bëhet fjalë për mbrojtje dëshmitari ktu? Për ça bëhet mbrojtja, se do t’i japim ne nji pushkatar me veti dhe ta ruajë mos ta vrasin?! Ça statusi je duke ba për dëshmitarin, vetëm që të mbrohen nga ana fizike, të vijë të dëshmojë në gjyq dhe ta çojë deri në shpi? Unë të them që ligji deri më sot nuk është zbatu, ça do të bajmë?”, ka thënë Doshi.

Por Vasilika Hysi ka kërkuar që deputeti Doshi të thërrasë në seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve kryeprokurorin Llalla. Sipas Hysit, ligjet janë të mira, por problemi qëndron te zbatimi. Por deputeti i Shkodrës, në kundërpërgjigje, ka thënë gjatë mbledhjes se kryeprokurori pas mandatit mund të bëhet biznesmen, por ligjet do të mbeten.

“Ne e dimë sot se kush është Prokurori i Përgjithshëm, ne nuk do të bazohena se ça thotë Prokurori i Përgjithshëm. Prokurori ka dhe dy muaj mandat dhe ikën, nesër bëhet biznesmen, ne flasim që ky ligj do të mbetet”, është shprehur deputeti i PS-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat