Rriten pagat për 5 mijë punonjësit e bashkisë së Tiranës

Shqipëria

Rriten pagat për 5 mijë punonjësit e bashkisë së Tiranës

Më: 31 mars 2017 Në ora: 07:48
Ilustrim

Rriten pagat për rreth 5 mijë punonjës të Bashkisë së Tiranës. 

Një vendim i zbardhur nga gazeta, i cili do ti çohet për miratim Këshillit Bashkiak, parashikon rritjen e pagave për disa kategori punonjësish.

Propozimi vjen në një kohë kur qeveria sapo ka miratuar ndryshimet e pagave për nëpunësit civil dhe Bashkia e Tiranës parashikon që paga minimale në këtë institucion të jetë 30 mijë lekë të reja. Rritja e pagës varjon nga 7% deri në 36%.

Pagat

Por sa do të jenë pagat për drejtuesit e bashkisë dhe administratorët? Kryebashkiaku Erion Veliaj do të ketë një pagë prej 174 mijë lekë, ndërsa nënkryetarët e bashkisë do përfitojnë 140 mijë lekë. Në këtë mënyrë kryebashkiaku dhe nënkryetarët janë vetpërjashtuar nga rritja e pagës.

Ndërkohë Administratori i Përgjithshëm do paguhet me 129 mijë lekë, ndërsa drejtorët e përgjithshëm me 118 mijë lekë. Përgjegjësit e sektorit do përfitojnë 70-80 mijë lekë, ndërsa specialistët do të kenë një pagë duke filluar nga 38 mijë deri në 61 mijë lekë të reja. 

Rritja më e madhe

Rritjen më të madhe të pagave në Bashkinë e Tiranës e përfitojnë pastrueset, të cilat nga 22 mijë lekë, tashmë do të marrin 30 mijë lekë. Për sa i përket Policisë Bashkiake, rritja varjon deri në 15%, ku inspektorët e Policisë Bashkiake do të marrin 76 mijë lekë, ndërsa punonjësi i policisë Bashkiake do të ketë një pagë prej 58 mijë lekë.

Shtesa

5 mijë punonjësit e bashkisë do të marrin shtesën në pagë duke filluar nga muaji mars. Vendimi sipas burimeve nga qeveria është miratuar në kuadër të rritjes së pagave që ka bërë qeveria më datën 2 mars. ‘Këto ndryshime vijnë si domosdoshmëri e rritjes së pagës minimale në shkallë vendi dhe ndryshimeve në legjislacionin e pagave për pushtetin vendor., por edhe për shkak të rritjes së inflacionit.

Niveli i pagave për nëpunësit në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës, bazohet në pagën e grupit (diplomën e shkollës), e cila lidhet ngushtë me nivelin arsimor, shtesa për vjetërsinë e punës që është 2% për çdo vit pune”,- thuhet në relacionin e Bashkisë së Tiranës. Vendimet për rritjen e pagave pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do zhvillohet në datën 5 prill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat