Pagat e reja në bashki, ja sa do paguhen të gjithë punonjësit

Shqipëria

Pagat e reja në bashki, ja sa do paguhen të gjithë punonjësit

Më: 6 prill 2017 Në ora: 08:05
Ilustrim

Punonjësit e Bashkisë së Tiranës do të përfitojnë rritje të pagave. Bashkia e Tiranës i është bashkuar vendimit të qeverisë, duke propozuar një rritje progresive, ku shtesa më e lartë do të jetë për punonjësit e shërbimeve dhe për ata që paguhen më pak. Vendimi është diskutuar dhe miratuar vetëm më votat e maxhorancës në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, të cilën anëtarët e djathtë e kanë bojkotuar. “Shekulli” ka siguruar vendimin në fjalë, së bashku me tabelat e plota ku konkretisht niveli i pagës për dy kategoritë e para, fillon nga 38 mijë lekë që i korrespondon pozicionit specialist i tretë, deri në masën 174.760 lekë që është paga e Kryetarit të Bashkisë. Nga rritja, i vetmi që nuk përfiton është pozicioni i kryebashkiakut. Administratori i Përgjithshëm do të trajtohet me pagën 129 800 lekë në muaj. Paga e zv/kryetarëve arrin në 140 mijë lekë në muaj dhe për pozicionet Drejtor Kabineti, Sekretar i Këshillit Bashkiak, Drejtor i Përgjithshëm paga mujore arrin në nivelin e 118 100 lekëve. Ndërsa këshilltarët e kabinetit dhe drejtorët e drejtorive do të paguhen me 100 mijë lekë në muaj.

Për punonjësit administrativë, ku përfshihen pozicionet specialist me arsim të mesëm, magazinierë, punonjës shërbimi, recepsionistë, shoferë, pastruese, paga varion nga 32 mijë lekë në 39 mijë lekë, plus shtesën për vjetërsinë në punë, e cila aplikohet 1 për qind pas çdo viti pune. Niveli i pagës për punonjësit e Policisë Bashkiake, fillon nga 58.850 lekë për punonjësit e thjeshtë, deri në 97 300 lekë për kryeinspektorin. Një tjetër vendim i rëndësishëm i diskutuar në Këshillin Bashkiak, ishte ai për ngritjen e Agjencisë për Administrimin e Tregjeve, e cila do të ketë akses për menaxhimin e 12 tregjeve publike në kryeqytet. Në rendin e ditës kanë qenë të përfshirë rreth 15 projekt/vendime, si shtesë fondi në buxhet për disa zëra të veçantë, miratimi i bonusit të qirasë për disa familjes si dhe ngritja e një thertoreje publike.

Administratorët 

Vendimi përcakton edhe pagat e administratorëve, të administratorëve të njësive administrative të cilat sërish përcaktohen në bazë të kriterit kryesor, numrit të popullsisë për çdo njësi administrative. Për njësitë administrative me 20.001 – 50.000 banorë, administratori do të ketë një pagë 99 000 lekë. Për njësitë administrative me 5.001 – 20.000 banorë, paga e administratorit do të jetë 85 000 lekë, ndërsa për njësitë administrative me më pak se 5.000 banorë, administratori do të ketë një pagë 6000 lekësh. Vendimi saktëson njëkohësisht se punonjësit administrativë, përveç pagës bazë, përfitojnë shtesën për vjetërsi në punë. Kjo shtesë aplikohet në masën 1 për qind mbi pagën bazë të kufirit minimal, të përcaktuar për çdo klasë. Për llogaritjen e kësaj shtese merret për bazë vjetërsia e përgjithshme në punë, por jo më shumë se 25 vjet.

Policia bashkiake 

Gazeta zbardh edhe pagat e punonjësve të policisë bashkiake, ku kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës ka një pagë 97 300 lekë nga 91 000 lekë që ishte deri para muajit prill. Ndërkohë me rritje shkojnë edhe pagat për inspektorët dhe punonjësit e policisë bashkiake, përkatësisht në masat 76 500 dhe 58 500 lekë, nga 71 500 dhe 55 000 që ka qenë.

Grupimi i diplomës 

Në bazë të vendimit është përcaktuar edhe vlera e pagës së grupit për grupet e diplomave të arsimit universitar. Kështu punonjësit që kanë një Master të Shkencave, Master të Arteve të barasvlershme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë kanë një vlerë në pagë prej 14.000 lekë. Ata që kanë një Master Profesional të barasvlershme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë kanë një përfitim në pagë me 11.000 lekë, si dhe ata që kanë përfunduar Bachelor të barasvlershme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë kanë një vlerë page me 10.000 lekë.

Këshilli

Ajo që bie në sy nga vendimi i miratuar në Këshillin Bashki ak është se nga rritja e pagës përfitojnë më shumë nivelet më të ulëta të pagave, ndërkohë që Veliaj ka përjashtuar veten nga rritja. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ai theksoi se kjo është rritja më e madhe e rrogave e viteve të fundit. “Kjo është një rritje nga e cila përfitojnë më shumë nivelet më të ulëta të pagave, ndërkohë që në nivelet e larta drejtuese të Bashkisë rritja është shumë më modeste. Kështu, punonjësit administrativë do të përfitojnë rritje që variojnë nga 5 – 7%. Ndërkohë që për punonjësit e shërbimeve (ata që në gjuhën popullore quhen punonjësit e punëve të krahut) rritja është shumë më e ndjeshme dhe shkon nga 20 deri në 25% të rrogës së tyre. Kjo është në fakt një mënyrë për të vlerësuar të gjitha ata heronj të heshtur të Bashkisë Tiranë, që nuk u qëllon shpesh të jenë në qendër të vë- mendjes, por pa punën e të cilëve qyteti thjesht nuk do të funksiononte dot”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat