Presidenti shpreh ngushëllimet për vdekjen tragjike të ish-policit

Shqipëria

Presidenti shpreh ngushëllimet për vdekjen tragjike të ish-policit

Më: 9 prill 2017 Në ora: 12:28
Presidenti i Republikës Bujar Nishani

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, shprehu ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të ish-komisarit të policisë Artan Cukut, duke dënuar njëkohësisht me forcë dhe ashpërsi vrasjen kriminale dhe autorët e saj.

“Të dashur familjarë të ish-komisar Artanit,

Me dhimbje të thellë dhe hidhërim të madh mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur e tragjike të njeriut tuaj të shtrenjtë. Më lejoni që në këtë momente të dhimbshme t’i shpreh familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të sinqerta, në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këtë ditë tejet të vështirë për ju!

Me largimin e parakohshëm nga kjo jetë të Artanit tuaj si pasojë e dorës së zezë të krimit, familjes e fëmijëve, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të shumtë do t’i mungojë pamasë prania e tij e pazëvendësueshme, e karakterizuar nga profesionalizmi i rrallë, vitaliteti i pashtershëm dhe lufta pakompromis kundër kriminalitetit dhe shkelësve të ligjit.

Me këtë rast dënoj ashpërsisht e me forcë këtë akt të shëmtuar barbar e mafioz, duke u bërë thirrje e kërkuar nga agjencitë ligjzbatuese që të punojnë papushim e të zbulojnë sa më parë autorët e pashpirt të këtij krimi, për t’i vendosur ata para drejtësisë në mënyrë që të marrin dënimin e merituar!

Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera për humbjen e Artanit dhe i lehtë i qoftë dheu!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat