Nishani: Si më nxorën nga Hoteli i Ushtrisë me djalin 2 vjeç..

Shqipëria

Nishani: Si më nxorën nga Hoteli i Ushtrisë me djalin 2 vjeç..

Më: 14 prill 2017 Në ora: 07:35
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me familje

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një ekspluzive për emisionin “Arena” të Dritan Hilës në Ora News ka treguar edhe një moment të dhimbshëm të jetës së tij në vitin 1997 kur u nxorr me forcë nga Hoteli i Ushtrisë bashkë me familjen dhe djalin dy vjeçar dhe se si u strehua në një dhomë.

Pjesë nga biseda:

Në momentin që ju u zgjodhët President u hodhën shumë akuza. E majta ju akuzoi se ju ishit një oficer dhe kërkonit vendosjen e bustit të Enver Hoxhës. A është e vërtetë që ju jeni enverist?

Nishani: Është një akuzë që i takon një niveli vulgar. Që pas zgjedhjes sime si President nisi një gërmim i gjithë veprimtarisë sime institucionale.

Kombet e civilizuara e bëjnë përpara zgjedhjes..

Nishani: Ajo mund të bëhet por duhet bërë institucionalisht por jo fshehtas. Nuk ka mbetur firmë e imja e pa kontrolluar, shkresa, urdhëresa. Dhe doli ajo që unë e kisha parashikuar se nuk kishte asnjë milimetër devijim nga ligji. U përgjua jeta private e familjes sime. Edhe ajo nuk solli ndonjë element komprometues për Bujar Nishanin dhe të afërmit e tij. Përballë situate, kundërshtarët politik artikuluan këto lloj akuzash. Sistemi i kaluar ishte një sistem i tillë që anëtarësimi në Partinë e Punës ishte një akt i detyruar për të vijuar jetën e tyre me përjashtim të atij grupimi njerëzish që ishin realisht kundërshtar të regjimit, që dënoheshin dhe persekutoheshin.

Në rastin tim, unë nuk kam qenë kurrë anëtar i Partisë së Punës, asnjë i familjes sime nuk ka qenë kurrë anëtar i Partisë së Punës. Babai im vinte nga një familje që nuk konsiderohej e besueshme, si pronar tokash, njerëz që kishin pasur afilacion jo komunist para Luftës. Kjo ishte arsyeja që unë nuk bërë një tentativë dhe për rrjedhojë nuk kam qenë kurrë anëtar i Partisë së Punës.

Artikulimi me ngjarjen e Shkollës së Bashkuar është një sjellje cinike për të ngulitur një mendim tek qytetarët. Në Shkollën e Bashkuar kishte një ngjarje dhe në atë periudhë, unë isha pedagog në katedrën e taktikës, isha i sapo mbaruar. Kur unë u emërova në katedër në 89 regjimi ishte drejt shuarjes. Në ngjarjen në Shkollën e Bashkuar unë nuk kam qenë pjesë e atij grupi ekstremist që kërkonin mbrojtjen e figurës së Enverit. Ka pasur një grup të madh. Kam qenë nga ata që kam iniciuar kërkesën për ndryshimin e nderimit që bëhej në ushtri me grusht dhe kam propozuar që të bëhej si në vendet perëndimore. Kam kërkuar heqjen e Yllit që vendosej në kapele.

Kam qenë një njeri që kam pasur një angazhim kundër ekstremistëve dhe kjo ka qenë arsye që me ndryshimin e regjimit, me ardhjen e qeverisjes së Partisë Demokratike mua më janë ofruar pozicione shumë të larta në hierarkinë ushtarake sepse kërkonin njerëz që ishin evidentuar me qëndrime antisistem të kohës. Në vitin 1997, kur u ndryshuar përsëri qeveria, unë jam pushuar nga Ministria e Mbrojtjes, megjithëse sapo isha kthyer nga studimet doktorale pas universitare në SHBA.

Isha studenti i parë shqiptarë që diplomohesha në Kaliforni, me një status jashtëzakonisht të lartë në SHBA. Pas meje kanë shkuar një sërë personalitetesh. Në atë kohë banoja në një apartament në Hotelin e Ushtarakëve pranë Ministrisë së Jashtme dhe më është kërkuar që brenda 48 orësh nga banesa. Unë refuzova se nuk kisha ku të veja. Më është ndërprerë furnizimi me ujë, furnizimi me energji elektrike dhe më ka ardhur Policia Ushtarake për të më marrë plaçkat dhe unë jam transferuar atë ditë. Sepse drejtuesit e atij grupimi të atyre oficerëve të vitit ’90 u rikthyen në Shtabin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë dhe më njihnin mirë. Dhe kjo ishte kostoja që unë duhet të paguaja. Nuk kisha ku të strehohesha. Kujtoj sonte me një nderim të veçantë të ndjerin Veli Rada që më ofroi një dhomë për t’u strehuar dhe kjo ka qenë një hakmarrje për qëndrimet kundër grupit ekstremist enverist. Mua kjo nuk më ka kompleksuar sepse ka qenë një akuzë për të më dekurajuar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat