Zgjedhjet pa opozitën, Nishani: Nuk mund të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve

Shqipëria

Zgjedhjet pa opozitën, Nishani: Nuk mund të vëmë në pikëpyetje legjitimitetin e institucioneve

Më: 15 prill 2017 Në ora: 07:21
Presidenti Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani në një interviste për emisionin “Arena” u shpreh se  situata aktuale është tejet shqetësuese.

“Opozita në Shqipëri ka zyrtarizuar mos pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit. Janë tejkaluar afatet e regjistrimit dhe kjo krijon komplikacion të madh për legjitimitetin e vijimësisë së institucioneve pas 18 qershorit”,tha Nishani.

Sipas tij, çdo palë duhet të marrë përsipër përgjegjësitë që i jep Kushtetuta dhe sistemi politik. “Unë shpesh herë kam adresuar shqetësimin tim që në procese madhore, të cilat kanë impakt për vendin në perspektivë afatmesme dhe afatgjatë, opozita pavarësisht cila forcë politike apo cili krah politik është në opozitë në një moment të caktuar, nuk mund të përjashtohet. Opozita përkundrazi duhet të jetë në pikëpamje cilësore e përfshirë”, tha Nishani.

I pyetur  për rolin e tij ndërmjetësues për një takim të mundshëm mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Basha, Kreu i Shtetit konfirmoi se është në kontakt me palët por ende nuk është caktuar tema e diskutimit dhe kornizat e tij.

I pyetur nëse Kushtetuta lejon shtyrjen ezgjedhjeve, Nishani tha se praktikisht sot afatet kushtetuese dhe ligjore të marrjes pjesë të opozitës më 18 qershor janë kaluar.  “ Nëse duhet të marrë pjesë në datën 18 qershor, atëherë duhet t’i krijohen afati i regjistrimit, por afati i regjistrimit është i lidhur me datën e zgjedhjeve. Pra, domosdoshmërish duhet ndryshuar data e zgjedhjeve që të rivendoset e drejta e opozitës për t’u regjistruar në afat. Rivendosja në afat është e vendosur gjithmonë me shtyrjen e një date”, argumentoi Nishani.

Ai shtoi se palët duhet të nisin diskutimit nëse do të diskutojnë për shtyrjen e zgjedhjeve apo jo. Por tha ai, nëse opozita nuk hyn në zgjedhje, teknikisht do të kemi zgjedhje, por nuk do të kemi institucione me legjitimitet pas zgjedhjeve. “Ka disa standarde ndërkombëtare për legjitimitetin e institucioneve të një vendi që pretendon të jetë demokraci e lirë. Pluralizmi dhe gara e barabartë në zgjedhje. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon detyrimisht të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur”, u shpreh Presidenti.

Nishani tha gjithashtu se ka një angazhim serioz nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike e që sipas tij duhet të ofrojë besueshmëri dhe standardin e paanshmërisë tek palët. “Shqipëria nuk është vend i izoluar. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për rajonin dhe për stabilitetin në rajon edhe për procese integruese. Shqipëria e ka fituar për shkak të angazhimeve të saj këtë status. Jam i bindur që ky angazhim i faktorit ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë dhe pa dyshim do të ketë edhe mbështetjen time”, theksoi Nishani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat