Beqiri për “Xinhua”: Shqipëria po tërheq vëmendjen e investitorëve kinezë

Shqipëria

Beqiri për “Xinhua”: Shqipëria po tërheq vëmendjen e investitorëve kinezë

Më: 15 prill 2017 Në ora: 09:01
Genti Beqiri dhe ambasadorja kineze

Në vitet e fundit ka një interes në rritje nga investitorët kinezë për të investuar në vendin tonë shprehet drejtori i Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve (AIDA) Genti Beqiri, në një intervistë të dhënë për agjencinë shtetërore kineze të lajmeve “Xinhua”.

Sipas tij, mbi 90 investitorë kinezë kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë shprehur interes për bashkëpunime tregtare dhe investime në disa fusha si energji, infrastrukturë, industria nxjerrëse, etj.

Beqiri përmend edhe dy investimet e rëndësishme të bëra nga kompanitë kineze, blerja e kompanisë së naftës Bankers Petroleum dhe Aeroportit të Rinasit.

Aktualisht në Shqipëri, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), janë rreth 150 biznese kineze të regjistruara në Shqipëri që operojnë kryesisht në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, sektorin e minierave, telekomunikacionit, etj.

“Shqipëria ndodhet në një moment shumë të mirë ekonomik dhe kompanitë kineze mund të përfitojnë për t’u zgjeruar jo vetëm këtu, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit,” thotë kreu i AIDA-s në intervistën për “Xinhua”.

Sipas Beqirit, Shqipëria ofron mundësi të shumta për investitorët kinezë për projekte në formën e partneriteteve publike-private në një sërë sektorësh strategjikë si energji, miniera, transport, telekomunikacion, turizëm, bujqësi, peshkim apo zona ekonomike.

Beqiri nënvizoi gjithashtu edhe progresin e bërë në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Kështu, Kina është partneri i tretë tregtar i vendit tonë dhe tregu kinez është një treg potencial shumë i rëndësishëm për eksportuesit shqiptarë.

Në kuadër të forcimit të këtij bashkëpunimi mes dy vendeve, AIDA është tashmë pjesë e mekanizimit të kontakteve për Agjencitë e Promovimit të Investimeve Kinë – CEEC, i krijuar në kuadër të nismës për bashkëpunim ekonomik 16+1 mes Kinës dhe vendeve të Europës Qëndrore dhe Lindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat