Energjia nga era, parku i parë eolik në Tepelenë

Shqipëria

Energjia nga era, parku i parë eolik në Tepelenë

Më: 16 prill 2017 Në ora: 07:25
ilustrim

Është çështje ditësh tashmë nisja e një investimi nga ana e një kompanie shqiptare për ndërtimin e parkut të parë eolik, që do të prodhojë energji nga era, në një nga fshatrat e Tepelenës.

Në mes të muajit mars, qeveria miratoi ndërtimin e veprës nga kompania “Alb-Building” shpk.

Sipas burimve nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), bëhet fjalë për një investim prej rreth 13 milionë euro, krejtësisht privat dhe kompania ka rreth 5 vite që ka nisur studimin e fizibilitetit, atë teknik dhe ka marrë autorizimet për lidhjen me rrjetin e OST-së. Po ashtu, bën të ditur AIDA, kompania ka marrë të drejtat e pronësisë mbi vendet ku do të ngrihen kullat e centraleve të erës. Do të ndërtohen në total 6 kulla, me lartësi nga 80 deri në 92 metra, diametër 100 metra dhe me një fuqi të instaluar prej 12 MW.

Sipas AIDA-s, në bazë të kontratës dhe planit të investimit, i gjithë investimi duhet të përfundojë brenda 7 muajsh nga dita e marrjes së lejes së ndërtimit. Pritet që Ministria e Energjisë dhe kompania investuese të lidhin marrëveshjen mbi zbatimin e kontratës. Autorizimi për parkun eolik është 25 vjet dhe kompania është e detyruar që 2 për qind të energjisë së prodhuar t’ia japë shtetit. Ky do të jetë rasti i parë i prodhimit të energjisë së rinovueshme nga era në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat