Super e hëna, në Tiranë mbërrijnë përfaqësues të Merkel dhe PPE

Shqipëria

Super e hëna, në Tiranë mbërrijnë përfaqësues të Merkel dhe PPE

Më: 16 prill 2017 Në ora: 20:12
Kuvendi i Shqiperise

Java e re do të jetë një nga më të rëndësishmet për mesazhet që do të përcjellë faktori ndërkombetar, një javë që do të përcaktojë si do të shkojnë negociatat për dialogun e nxjerrjes se vendit nga kriza politike.

Të hënën Tiranën do ta vizitojnë 2 aktorë të rëndësishëm europianë, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe ministri i jashtëm hollandez Bert Koender.

Këta janë dy nga diplomatët më të rëndësishëm europiane, që e mbështesin perspektivën europiane të Shqipërisë, por gjithashtu kërkojnë që Shqipëria të kryejë detyrat për hapjen e negociatave, reformën në drejtësi, pjesëmarrjen në institucione dhe vendosjen e dialogut për t’i dhënë vendit zgjedhje të standardeve europiane.

Me këtë mision në Tiranë pritet të vijë edhe kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit europian, David McAllister.

Zëvendës-presidenti i partive popullore europiane është pranuar nga forcat politike kryesore, që të marrë rolin e negociatorit për të zgjidhur krizën nëpërmjet dialogut.

Deri tani nuk ka një datë të caktuar për mbërritjen e gjermanit McAllister, por burime të Top Channel thonë se ai preferon që vizita në Tiranë, të ishte me një axhendë të dakordësuar më herët nga palët, për atë se çfarë do të negociohet.

Për këtë qëllim, janë takuar të shtunën dy negociatorët politikë, Taulant Balla për socialistët dhe Oerd Bylykbashi për demokratët.

Ata pritet të takohen sërish me nisjen e javës së re politike, në një përpjekje për të dakordësuar çështjet e tryezës së dialogut.
Paralelisht me këto përpjekje, parlamenti do të zhvillojë dy seanca plenare, të martën për vettingun dhe të mërkurën për presidentin.

Të dyja këto seanca, ka mundësi të jenë pa produkt. Parlamenti nuk zgjedh dot një komision funksional vettingu pa opozitën, por edhe presidenti, si fillim po trajtohet si një çështje e dialogut ende të munguar me opozitën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat