Ngjarja/ Si u plagos Artan Cuku teksa ndërhyri të shmangte vetëvrasjen

Shqipëria

Ngjarja/ Si u plagos Artan Cuku teksa ndërhyri të shmangte vetëvrasjen

Më: 18 prill 2017 Në ora: 00:07
Artan Cuku

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, një ndër miqtë e bashkëpunëtorët më të afërt të Artan Cukut, është i bindur se vrasja e tij lidhet me veprimtarinë që ka kryer në Polici. Në një intervistë për “Panorama”, profesori i Akademisë së Sigurisë tregon edhe një moment të majit të vitit 2009, kur Cukut i ishte rrezikuar jeta në krye të detyrës.

“Artan Cuku vazhdimisht ka treguar protagonizëm në drejtimin e operacioneve policore. Unë nuk di ndonjë rast që Artani të mos ketë marrë pjesë në operacionet më të rëndësishme të strukturave ku ai ka punuar. Duke filluar që nga Shkodra, në Durrës, në Tropojë, në Berat, në Fier, në Tiranë, në Vlorë etj. Artani ka drejtuar vetë operacione policore për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar kriminale. E për pasojë, në disa raste ai është rrezikuar në rastet e shkëmbimit të zjarrit me elementë të armatosur. Kujtoj një rast në Tiranë, kur një i sëmurë mendor kishte dhunuar dhe plagosur pjesëtarët e familjes dhe qëndronte në sheshpushimin e katit të pestë të një pallati dhe nuk lejonte që të afrohej asnjë person, se ndryshe do të vetëvritej duke u hedhur nga lartësia. Artan Cuku ka negociuar me të për rreth 4 orë dhe në një moment ka ndërhyrë bashkë me dy kolegë të tjerë për ta shpëtuar dhe për pasojë është plagosur me thikën që i sëmuri mendor mbante si mjet kërcënimi. Por ka edhe mjaft raste të tjera që Artani ka qenë i rrezikuar në operacione të ndryshme policore për arrestimin e autorëve të dyshuar të veprave penale”, tregon Vocaj.

Ngjarja e ndodhur më 22 maj të vitit 2009.

Ndërhyjnë të shmangin vetëvrasjen, plagosen 2 policë. Dy policë mbetën të plagosur me thikë, gjatë ndërhyrjes për të shmangur vetëvrasjen e një 23-vjeëari në zonën e njohur si “Tregu Elektrik” në Tiranë. Policia e Komisariatit Nr.1 është njoftuar disa orë pas mesnatës së të enjtes, se një djalë kishte hipur në tarracën e pallatit 6-katësh ku banonte dhe po tentonte të hidhej. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie për të shmangur vetëvrasjen e të riut Luis Rreku. Me gjithë thirrjet për t’u larguar nga tarraca, policët por as familjarët nuk kanë arritur të bindnin 23-vjeçarin, i cili e kishte ndarë mendjen për të kryer veprimin fatal.

Përballë kësaj situate dy policë janë detyruar që të hipin fshehurazi në tarracë në mënyrë që ta kapnin në befasi, djalin që po tentonte vetëvrasjen. Sipas informacioneve që janë marrë në vendin e ngjarjes, është mësuar se Rreku para se të ngjitej në tarracën e pallatit ishte grindur me të ëmën, e cila i kishte tërhequr vëmendjen se ishte kthyer vonë në shtëpi. Më pas mes tyre ka nisur një debat me tone të forta dhe 23-vjeëari është ngjitur në katin e gjashtë duke alarmuar banorët e lagjes. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes operacioni i policisë për të shpëtuar të riun ka zgjatur më shumë se dy orë, pasi ai nuk bindej që të hiqte dorë nga vendimi që kishte marrë.

Ndërkohë burime nga policia shpjeguan se është dashur ndërhyrja në befasi e dy oficerëve të policisë për të parandaluar vetëvrasjen, por që u ka kushtuar mjaft shtrenjtë. Luis Rreku, përveçse kishte hipur në tarracë dhe bërtiste se do të hidhej, kishte marrë edhe një thikë, të cilën e mbante në dorë gjatë gjithë kohës. Ndërhyrja e dy policëve për pak sa nuk ka rezultuar fatale për ta, pasi gjatë përleshjes për të shpëtuar 23-vjeçarin. Ata janë plagosur nga arma që mbante në dorë Rreku, por gjithsesi kanë arritur që ta ndalojnë të vetëvritej. Menjëherë në pallat janë ngjitur edhe oficerë të tjerë policie, të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e të riut dhe policët e plagosur janë dërguar menjëherë në spital, ku sipas mjekëve gjendja e tyre nuk paraqet rrezik, pasi plagët që kanë marrë janë të lehta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat