Nano për President? Pas Edi Ramës reagon edhe LSI

Shqipëria

Nano për President? Pas Edi Ramës reagon edhe LSI

Më: 18 prill 2017 Në ora: 13:49
Fatos Nanos

Lëvizja Socialiste për Integrim e Shqipërisë është e vendosur të mos paraqesë asnjë emër dhe të mos diskutojë për asnjë emër nga e majta për President, për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje me opozitën.

Qëndrimin e shprehur pak ditë më parë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, e përforcoi sot edhe sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike, Luan Rama.

Edhe kur u pyet për emrin e Fatos Nanos si kandidaturë e mundshme për President, Luan Rama tha se i rëndësishëm është procesi me pjesëmarrjen e opozitës.

“Nuk kam çfarë të shtoj asnjë fjalë më shumë nga sa ka thënë Ilir Meta pas takimit që ne zhvilluam me lidershipin e PS-së”.

Ekziston mundësia që të digjen të pesë raundet për zgjedhjen e Presidentit?

Meta e bëri të qartë qëndrimin lidhur me çështjen e Presidentit duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes me kontributin e vet edhe të opozitës. Për sa kohë jemi me shpresë që ekzistojnë mundësitë që opozita të bëhet pjesë e procesit pasi të jepen garancitë që zgjedhjet të bëhen sipas standardeve, nuk duhet të ngutemi.

Një ditë më parë lidhur me emrin e Nanos u pyet edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se kishte marrëdhënie shumë të mira me ish kreun e PS-së, shkruan Panorama.

“S’dua të marr emra konkret. Kemi marrëdhënie shumë të mirë. Por s’merrem me katundin mediatik. Respekti për të thënë që mos të marrim njerëz nëpër gojë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat