Kuvendi miraton në pak minuta anëtarët e Komisioneve të Vettingut. Çfarë biseduan Rama, Ruçi dhe Meta?

Shqipëria

Kuvendi miraton në pak minuta anëtarët e Komisioneve të Vettingut. Çfarë biseduan Rama, Ruçi dhe Meta?

Më: 18 prill 2017 Në ora: 20:13
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme dhe ka votuar me 82 vota anëtarët e Komisioneve të Vettingut. Seanca ka zgjatur vetëm pak minuta dhe pas verifikimit të prezencës, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka anoncuar nisjen e votimit që ka përfunduar brenda pak minutash. Më herët kryeministri Edi Rama është parë teksa bisedonte nga afër me kreun e grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi si dhe deputetin Taulant Balla. Pas përfundimit të bisedës me ta, Rama i veshur sportiv është drejtuar nga podiumi ku ka biseduar me aleatin e tij, kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Komisionet e vettingut përbëhen respektivisht nga 12 anëtarë, 6 të propozuar mazhoranca dhe 6 opozita; si dhe komisioni me 6 anëtarë, 3 nga mazhoranca dhe 3 nga opozita. Tre partitë e mazhorancës, PS, LSI dhe PDIU, kishin paraqitur emrat e kandidatëve për komisionet e Vettingut me 12 dhe 6 anëtarë. Po ndërkohë LSI ka tërhequr një kandidat dhe vendin në komision e merr PDIU. Bëhet fjalë për Komisionin me 12 anëtarë, ku futet Doda e PDIU dhe mbetet jashtë Caka e LSI-së. PS ka propozuar për në komisionin me 12 anëtarë emrat e deputetëve, Ulsi Manja, Bashkim Fino, Pandeli Majko dhe Evis Kushi. Ndërsa për komisionin me 6 anëtarë, PS ka propozuar Vasilika Hysin dhe Ervin Bushatin. Lëvizja Socialiste për Integrim kishte propozuar emrat e deputetëve Luan Rama dhe Silva Caka për komisionin me 12 anëtare dhe Vangjel Tavon për komisionin me 6 anëtarë.

Ndërsa PDIU ka propozuar emrat e Tahir Muhedinit dhe Mesila Dodës për dy komisionet e Vettingut. Pjesa tjetër e anëtarëve të dy komisioneve të Vettingut i takojnë opozitës për t’i propozuar. Nga Partia Demokratike nuk është paraqitur asnjë emër. 13 prilli ka qenë afati i fundit i të gjitha palëve politike për të dorëzuar kandidaturat për anëtarë të këtij komisioni. Javën e shkuar, Avokati i Popullit dorëzoi në Kuvend listën dhe dosjet përkatëse të secilit kandidat, që plotësoi kriteret e vendosura, bashkë me listën e atyre që nuk i plotësuan kriteret. Ndërkohë që nesër, më 19 prill, Kuvendi mblidhet sërish për të zhvilluar raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Kryeparlamentari Meta ka deklaruar se palët nuk kanë ende një emër, ndërsa i ka mëshuar fort idesë se emri i të parit të shtetit, duhet të zgjidhet me konsensus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat