Partia Demokratike “zbarkon” në Kavajë, 10 deputetë ftojnë qytetarët derë më derë për protestë

Shqipëria

Partia Demokratike “zbarkon” në Kavajë, 10 deputetë ftojnë qytetarët derë më derë për protestë

Më: 19 prill 2017 Në ora: 15:04
Lulzim Basha

Opozita nuk ka si qëllim që të pengojë zgjedhjet në Kavajë, por t’u bëjë ftesa derë më derë qytetarëve të Kavajës që të protestojnë kundër zgjedhjes së mëkëmbësit të Elvis Roshit më 7 maj.

Për këtë qëllim një grup prej afro 10 deputetesh kanë zbarkuar në Kavajë dhe do të qëndrojnë çdo ditë deri ditën e 7 majit, kur do të mbahet protesta për bojkotin e zgjedhjeve për Bashkinë e Kavajës. Grupi i deputetëve përbëhet nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani; nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho si dhe deputetët Luçiano Boçi, Flamur Noka, Florion Mima etj.

Njëri prej tyre, deputeti i qarkut të Elbasanit, anëtari i Këshillit Kombëtar dhe kreu i departamentit për arsimin në PD, Luçiano Boçi konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” se takimet e para kanë nisur me strukturat e degës në qytet, ndërkohë që në ditët në vijim do të shkohet në çdo fshat dhe zonë të Kavajës për të marrë kontaktet me banorët që të dalin dhe protestojnë më 7 maj kundër lidhjeve të politikës me krimin, gjë e cila u pa qartë pikërisht me ish-kryebashkiakun e tyre, Elvis Roshi. 

Boçi bën të ditur se qëllimi i këtyre takimeve nga qendra në bazë janë ftesat për qytetarët që të dalin dhe të protestojnë ditën e zgjedhjeve dhe jo pengimi i zgjedhjeve. “Po, është e vërtetë që një grup deputetësh të PD-së kemi shkuar në Kavajë dhe do të qëndrojmë atje në mënyrë të vazhdueshme deri në datën e zgjedhjeve. Fillimisht takuam strukturat e partisë atje, të cilat janë të gjendje shumë aktive. 

Gjatë mbledhjes së kryesisë së degës u ra dakord që njerëzve t’u bëhen ftesa për të protestuar kundër kopjes së Elvis Roshit në qytetin e tyre, që të mos zgjedhin mëkëmbësin e tij në Kavajë, por të protestojnë paqësisht. Ne nuk do të krijojmë pengesa, por po ftojmë sa më shumë njerëz që t’i bashkohen protestës që kemi lajmëruar më datën 7 maj në qytetin e Kavajës. Takimet do të zhvillohen në çdo zonë të Kavajës, me qëllim që protesta jonë të ketë mbështetje sa më të gjerë.

Kemi besim se protesta e 7 majit do të jetë masive, pasi populli i Kavajës nuk e do krimin në pushtet, por do që të jenë vetë qytetarët, ata që do të kenë pushtetin e tyre”, deklaroi për “GSH”, z.Luçiano Boçi. Kurse deputeti tjetër i PD-së, Aldo Bumci tha se: Në Kavajë në 7 maj nuk do të ketë zgjidhje. Opozita ka thirrur një protestë të madhe. Ju do ta shikoni në ditët në vijim, nuk mund të ketë zgjedhje në një qytet që u kthye në simbol të promovimit të krimit. Ambasadori amerikan i kërkoi mos kandidonte Elvis Roshin”.

Në datën 10 prill, 27 parti të koalicionit opozitar rikonfirmuan qëndrimin e tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje derisa në vend të krijohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. 

Por, përpara 18 qershorit, në 7 maj ka zgjedhje për kryebashkiakun e Kavajës, një proces ku opozita jo vetëm nuk do të marrë pjesë, por ka lajmëruar mbajtjen e një proteste në Kavajë ditën e zgjedhjeve, e cila në kushtet aktuale mund të konsiderohet edhe si një provë gjenerale për zgjedhjet e 18 qershorit. “Një protestë të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një lëvizjeje popullore paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat