Dështon zgjedhja e presidentit të ri në votimin e parë

Shqipëria

Dështon zgjedhja e presidentit të ri në votimin e parë

Më: 19 prill 2017 Në ora: 20:28
Kuvendi i Shqiperise

Në Shqipëri parlamenti dështoi sonte të zgjidhte në votimin e parë presidentin e ri të vendit.

Asnjë nga forcat politike nuk propozoi ndonjë kandidaturë.

"Raundi i parë i zgjedhjes së presidentit quhet i ezauruar. Kjo procedurë është shprehje e vullnetit, që të afrohet edhe opozita për një figurë konsensuale. Dialogu me opozitën është mëse i nevojshëm edhe mbi zgjedhjet", tha kryetari i parlamentit, Ilir Meta.

Kryeministri Edi Rama tha menjëherë pas seancës se "socialistët i kanë numrat për ta zgjedhur Presidentin e Republikës, por po mundohemi t'i japim një shans opozitës për të gjetur një figurë sa më shumë përfaqësuese dhe sa më shumë gjithëpërfshirëse".

"Ne duam t'i japim atij institucion dinjitetin dhe autoritetin për të qëndruar mbi palët. Më mirë një president pak ditë më vonë se sa një president i zgjedhur në një sallë të boshatisur nga krahu i opozitës që nuk vjen në punë" - tha zoti Rama.

Fundjavën e shkuar shumica në pushtet deklaroi se nuk do të paraqiste asnjë emër e nuk do të mbështeste asnjë kandidaturë për president, në përpjekje për të dialoguar dhe për të kërkuar edhe konsensusin e opozitës, e cila ndërkohë ka bojkotuar parlamentin.

Sipas Kushtetutës shqiptare, për zgjedhjen e presidentit të vendit zhvillohen deri 5 raunde votimi.

Në tre të parat kërkohet një shumicë e cilësuar prej 84 votash, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë presidenti mund të zgjidhet dhe më shumicën e thjeshtë prej 70+1 deputetësh.

E majta, i ka edhe e vetme 84 votat e nevojshme për të zgjedhur kreun e ri të Shtetit në dy raundet e ardhshme. Votimi i radhës duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat