Rriten pagat për zjarrfikësit dhe mësuesit e fillores

Shqipëria

Rriten pagat për zjarrfikësit dhe mësuesit e fillores

Më: 20 prill 2017 Në ora: 11:25
Ilustrim

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit vendimin që përcakton pagat dhe shpërblimet për punonjësit Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, si dhe për mësuesit e fillores, në të cilin parashikohet vjetërsia e punës.

Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë dhe shtesave mbi pagë, për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.

Të gjithë punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për çdo vit vjetërsi shërbimi, përfitojnë shtesë mbi pagë, në masën 1 për qind për çdo vit, deri në 25 vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi vlerën e pagës bazë të gradës “Asistent zjarrfikës”. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite shërbimi do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës së çdo punonjësi, në strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.

Paga për mësuesit

Sipas vendimit të këshillit të ministrave me pagë shtesë do të trajtohen edhe mësuesit e sistemit parauniversitar.

Këshilli i Ministrave vendosi që, “Punonjësit aktualë mësimorë/edukatorë të cilët zotërojnë diplomë të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”, ose të barasvlershme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe deri para datës 1 mars 2017, kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit deri në momentin e ndryshimit të nivelit të diplomës, apo ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me institucionin arsimor përkatës.

Punonjësit mësimorë/edukatorë që fillojnë punë për herë të parë si punonjës mësimorë/edukatorë në arsimin parauniversitar pas datës 1 mars 2017, do të trajtohen me pagë grupi sipas përcaktimeve të lidhjes nr.2 të vendimit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat