Bregdeti shqiptar me ndryshime moderne turistike

Shqipëria

Bregdeti shqiptar me ndryshime moderne turistike

Më: 20 prill 2017 Në ora: 13:47
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Olta Lame

Të enjten është hapur solemnisht Panairi Ndërkombëtar i Edukimit, Turizmit dhe Sportit, i cili ka për qëllim informimin dhe ngritjen e vetëdijes së studentëve rreth përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional, si dhe mundësive për bursa dhe punë praktike.

Në këtë panair u ekspozuan pika të reja turistike të shumta, të cilat u prezantuan nga agjencitë kombëtare të turizmit nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore dhe më gjerë.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu tha se edhe për këtë vit Ulqini është i përgatitur për turistët shqiptarë dhe shteteve tjera, pasi janë bërë investime për turizëm modern.

Cungu: Sezoni turistik fillon më 1 maj

“Ne zakonisht sezonin turistik e fillojmë me Kosovë, me festën e 1 majit, kështu edhe kësaj radhe për këtë festë kemi përgatitur një program të veçantë, i cili do të zgjatë një javë ditë dhe besoj se do ta shfrytëzoni këtë kohë që të vini dhe të jeni me ne. Normalisht, se ende duhet bërë ndryshime te ne, turizmi modern kërkon edhe ndryshime të shumta me ndërtime të hoteleve me katër dhe pesë yje. Ulqini të jetë vazhdimisht qyteti më i frekuentuar, posaçërisht prej shqiptarëve dhe nga turistë të tjerë nga të gjitha shtetet”, tha kryetari Cungu.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Olta Lame duke i përshëndetur të pranishmit vlerësoi lart hapjen e panairit tradicional për promovimin e turizmit.

Lame: Panair me traditë dhe për marrëdhëniet tona të mira

“Një falënderim të veçantë për këtë që na është mundësuar pjesëmarrja jonë në këtë panair me traditë dhe për marrëdhëniet tona të mira”, theksoi Lame. 

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës Arbërie Nagafci  beson dhe shpreson se nxënësit e Prishtinës të marrin informata të nevojshme në këtë panair për edukimin e tyre të mëtutjeshëm në karrierë. Ajo tregoi se nga efektet e këtyre panaire po tregojnë rezultatet të kënaqshme për nxënësit.

Nagafci: Nxënësit po ia shohin hairin panaireve

“Duke qenë viti i katërt i organizmit të këtij panairi, tashmë ne kemi përvoja të mira nga vitet paraprake, kemi nxënës të cilët i kanë ndihmuar që të vazhdojnë studimet e tyre dhe duke gjetur përkrahës dhe përfituar bursa të ndryshme, të cilët kontribuojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Në këtë drejtim ne kemi kënaqësinë që sot të kemi pjesëmarrës në panair edhe shkollat tona profesionale në komunën e Prishtinës”, pohoi Nagafci.

Ndërsa, Rexhë Gashi, investitor nga Zvicra, tha se ka investuar në sektorin e hotelerisë dhe verarisë në Prizren, por ka telashe të gjejë staf profesional, si dhe përballet me ndërprerje të energjisë elektrike dhe çmim të shtrenjtë të energjisë.

Gashi: Kemi probleme me energji dhe çmim të shtrenjtë

“Problemi kryesor qëndron në edukim këtu në Kosovë, nuk qëndron në fuqinë punëtore. Kemi mangësi dhe ekspertizë të lëmenjve të ndryshëm ku të rinjtë nuk kanë ende aftësi praktike që të punojnë në lëmi të ndryshme. Një sukses që duket i jashtëzakonshëm këtu, në Evropë është shumë normale. Mungesa e analizës laboratorike kjo është mungesa jonë dhe pengesa kryesore është sistemi i energjisë elektrike ku çmimet janë të jashtëzakonshme, ne paguajmë  më shtrenjtë rrymë këtu se sa në Evropë, pengesë kjo edhe me ndërprerje të energjisë. Ndërsa sa i përket prodhimeve vendore dhe lëndës së parë është shembullore. Kemi rrush në Kosovë që nuk ka askund në botë të këtij niveli. Të gjitha prodhimet vendore bujqësore që bëhen janë thuajse bio dhe janë të kualitetit të jashtëzakonshëm andaj, këto prodhime pastaj t’i plasojmë në tregun evropian, sepse jemi në qendër të Evropës”, theksoi Gash.

Organizatori i këtij panairi nga kompania “CEO”, Bekim Xhafa tha se të dy panairet janë tradicionale, të cilat, sipas tij, për çdo vit sjellin risi të shumta nga turizmi dhe edukimi. Në këto dy panaire të cilat do të jenë të hapura edhe nesër për vizitorët po marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, rajoni dhe Evropa. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat