Peleshi: I kemi emrat për President, por presim opozitën; Bushati: Po gënjen

Shqipëria

Peleshi: I kemi emrat për President, por presim opozitën; Bushati: Po gënjen

Më: 21 prill 2017 Në ora: 01:16
Andi Bushati

Përzgjedhja e presidentit të ri të republikës ka përplasur analistët Andi Bushati e Fatos Lubonja me zv/kryeministrin Niko Peleshi dhe deputetin e LSI Luan Rama.

Të ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në News24, Zv/kryeministri Niko Peleshi u shpreh se mazhoranca ka emra për zgjedhjen e presidentit, por presin edhe angazhimin e opozitës. “Për çështjen e presidentit, mendoj se ka disa afate kushtetuese dhe duhet të respektohet. Janë konsumuar 2 raunde pa produkt dhe kjo ka një shpjegim, pasi po presim konsensus me opozitën. Pra nuk është se ne nuk kemi emra, por po blejmë kohë në favor të dialogut me opozitën”- tha Peleshi.  Ndërkohë analisti Andi Bushati tha kjo është një gënjeshtër nga ana e mazhorancës dhe nuk po pritet për opozitën edhe për shtyrjen e regjistrimit të koalicioneve , por sipas tij po përdoret Kushtetuta për të zgjidhur sherret Rama-Meta.

“Jemi para një gjeje aspak serioze, pasi hapen turnet për president pa pasur emra. Pra këta thonë se e bëjnë për t’i dhënë kohë opozitës, por mua më duket një gënjeshtër. Kemi 4 vite që qeverisemi me idenë, e ka Saliu fajin, e ka Luli fajin. Ndaj ndodhi që dy parti thanë se nuk regjistrojmë koalicionin se po presim Lulin. Po ti prite Lulin, por të pakteën zbato për vete afatet. Pra kjo nuk është se po bëhet për opozitën. Këta po përdorin ligjin dhe Kushtetutën për të zgjidhur sherret që nuk zgjidh Rama me Metën. Njëri thotë unë i kam thënë shqiptarëve që nuk futem në zgjedhje pa u futur opozita, dhe tani që na ka ardhur data për tu regjistruar, hajde e shtyjmë. Pra kur do ti, këto janë tabu, ndërsa kur nuk do ti, ligjet bëhen copa leckash. Ta heqin këtë fabulën që nuk e ha njeri se po presin PD, por nuk zgjedhin hallet tona dhe të blejmë kohë për të zgjedhur hallet e Ilir Metës dhe Edi Ramës”- tha Bushati. 

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama u shpreh se Shqipëria është në një krizë institucionale politike dhe se kriza themelore është kriza e zgjedhjeve. Ai tha se qytetarët nuk kanë besim se do lexohet vullneti i tyre përmes votës. “Fakti është se Shqipëria është në një krizë institucionale politike, e kushtetuese që kërkon zgjidhje. Kriza themelore është kriza e zgjedhjeve. Ne jemi koherent për qëndrimet tona dhe mendojmë se Shqipëria duhet të realizoje zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse do ishte zgjidhur çështja e zgjedhjeve atëherë nuk do ishim këtu. Problemi i zgjedhjeve ka krijuar të gjithë problemet e tjera. Qytetarët nuk kanë besim se do zhvillohen zgjedhje që të lexohen vullneti i qytetarëve. Ligji parashikon që raundi nga raundi për president duhet të jetë jo më pak se 7 ditë. Para 5 vitesh janë bërë 2 raunde brenda ditësh dhe formalisht nuk është e jashtëligjshme. Letra drejtuar KQZ-së është një shprehje vullneti që kërkojmë të interpretohet ligji. Pra pa shkelur ligjin të mundësohet që edhe opozita të përfshihet në proces, pasi zgjedhjet pa opozitën janë paradoks”- tha Luan Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat