Anija shqiptare “Oriku” shpëton një gomone me 51 migrantë në bord

Shqipëria

Anija shqiptare “Oriku” shpëton një gomone me 51 migrantë në bord

Më: 21 prill 2017 Në ora: 12:13
Anija “Oriku” e Forcave Detare shqiptare

Anija “Oriku” e Forcave Detare shqiptare, të premten, gjatë patrullimit në Detin Egje, identifikoi një gomone me emigrantë në bord, e cila ishte nisur nga brigjet e Turqisë drejt brigjeve greke.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, menjëherë anija “Oriku” njoftoi anijen flamurtare “RB” turke, greke dhe “Frontex”. Njëkohësisht, pas njoftimit, anija “Oriku” shkoi në rajonin ku ndodhej gomonia dhe ofroi ndihmë deri në mbërritjen e anijes “MAI 1102 FRONTEX” dhe “RB” turke.

Në orën 08:37, gomonia u mor në dorëzim nga anija e Frontex “MAI 1102”, e cila kreu operacionin e imbarkimit të personave në të. Pas dorëzimit, nga të dhënat e marra nga anija e “FRONTEX”, në përfundim të operacionit, u verifikua se në bordin e gomones ishin 51 persona, nga të cilët, 17 gra, 12 fëmijë dhe 22 burra.

Të gjithë pjesëtarët e gomones ishin me kombësi siriane. Gjatë misionit të saj në Egje, anija “Oriku” ka realizuar disa operacione shpëtimi të suksesshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat