Apeli i KQZ-së: Dorëzoni listat për deputetë, 29 prilli afati i fundit

Shqipëria

Apeli i KQZ-së: Dorëzoni listat për deputetë, 29 prilli afati i fundit

Më: 22 prill 2017 Në ora: 13:32
KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një deklarate për shtyp u bëri thirrje gjithë subjekteve zgjedhore të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

KQZ bën me dije se 29 prilli është afati i fundit, ndërkohë që bën publik edhe listën e dokumenteve për secilin individ.

Deklarata e plotë e KQZ 

Një nga fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor është dorëzimi në KQZ, i listave shumemërore të kandidatëve për deputet nga partitë politike dhe i kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvend të datës 18 qershor.

Ndaj, përmes kësaj deklarate KQZ sjell në vëmendjen e subjekteve zgjedhore,  se në zbatim të nenit 67, 68 dhe 72 të Kodit Zgjedhor, listat shumëemërore të kandidatëve për deputet duhet të përmbajnë këto të dhëna:

listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;

një kopje të dokumentit të identifikimit;

deklaratën e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;

deklaratën e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;

një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë, sipas neneve 69 dhe 71 të këtij Kodi.

Për herë të parë, do të dorëzohet edhe lista e plotë e kandidatëve për deputet në formatin elektronik sipas formatit të miratuar nga KQZ, ku veç të dhënave të mësipërme, si e dhënë do të shtohet dhe mëmësia dhe vendlindja.

Në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, kandidatët për deputet duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë formularin e dekriminalizimit.

Bashkë me dokumentacionin e kandidimit që depozitohet nga partitë politike apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, duhet të jetë edhe jetëshkrimi (CV) për secilin kandidat.  Kjo risi, do t’u japë zgjedhësve mundësinë të njihen me kandidatët për deputet, për të cilët do të votojnë në zgjedhjet për Kuvend.

Formulari i dekriminalizimit dhe jetëshkrimi (CV), duhet të jenë në formatin e shkruar (hard-copy) dhe elektronik (të skanuara pasi janë firmosur nga kandidati), dhe do të publikohen në faqen e zyrtare të internetit të KQZ-së, ëëë.cec.org.al, për të qenë të aksesueshëm lehtësisht nga zgjedhësit, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.

Theksojmë se, të gjithë modelet e dokumenteve të kandidimit janë standardizuar nga KQZ me vendimin nr. 45, të datës 17.02.2017, dhe mund të shkarkohen lehtësisht në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së, www.cec.org.al.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu kujton subjekteve zgjedhore se listat e kandidatëve për deputet dhe dokumentacioni shoqërues duhet të dorëzohen brenda datës 29 prill.

Pavarësisht së kjo datë përkon me ditë të shtunë, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është ditë pune dhe 29 prilli, është afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve, nuk do të ketë më një afat tjetër.

KQZ do të bëjë verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe verifikimin e formularëve të dekriminalizimit, për ta përmbyllur procesin e regjistrimit të listave shumëemërore brenda datës 5 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat