Dinamika e vrasjes në lokalin e natës në Vlorë, viktima shpullë dhe grushte autorëve

Shqipëria

Dinamika e vrasjes në lokalin e natës në Vlorë, viktima shpullë dhe grushte autorëve

Më: 22 prill 2017 Në ora: 18:07
Ergys Gjioveshaj

Prokuroria e Vlorës ka dhënë detaje nga hetimet paraprake për vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në një lokal nate në qytetin bregdetar.

Sipas organit të akuzës, në vendngjarje janë gjetur 18 gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 14 mm dhe 4 të modelit 7.62. Nga ky fakt, pra i sekuestrimit të gëzhojave të armëve të ndryshme, faktohet se brenda lokalit nuk është qëlluar vetëm nga autori tashmë i arrestuar, por edhe nga personat që shoqëronin viktimën.  

Prokuroria thotë se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një pistoletë e markës MAGNIUM me 5 fishekë, e cila iu gjet viktimës, Ergys Gjioveshaj në trup. Por nga dinamika e ngjarjes, rezulton se 33-vjeçari nuk ka qëlluar me armë. Gjioveshaj ka marrë gjashtë plumba në trup, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth oës 23:00 në lokalin “Fiks Fare” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku mbeti i vrarë Ergys Gjioveshaj 33 vjeç, ndërsa nga breshëria e plumbave u plagosën edhe kamerieri, një prej muzikantëve dhe një kliente e rastësishme në lokal.

Shkak për këtë ngjarje është bërë një konflikt i çastit dhe më saktë një shuplakë mes viktimës dhe autorëve të ngjarjes. 

Në ambjentet e jashtme të këtij lokali zhvillohej një festë me këngëtare dhe grupin e saj me muzikë live.

Gani Tozaj, i vënë në pranga disa orë pas ngjarjes, ishte ulur në ambientet e brendshme të lokalit me mikun e tij Arjanit Kondaj, 38-vjeçar.

Ndërkohë rreth orës 23:00 në lokal ka ardhur edhe Ergys Gjioveshaj me tre miq të tjerë.

 “Fillimisht ata ulen në pjesën e brendshme të lokalit, por pas disa sekondash truproja i lokalit u kërkon që të ngrihen dhe të ulen në pjesën tjetër, ku zhvillohej dhe festa.Pas kësaj këta çohen të katërt dhe ulen në pjesën e jashtme të lokalit, ku ndërkohë kamarieri u merr porosinë. Pasi çon porosinë kamarieri, dy prej tyre ngrihen nga tavolina dhe shkojnë në tavolinën ku ndodheshin Gani Tozaj dhe Arianit Kondi, në pjesën e brendshme të lokalit. Ergys Gjioveshaj, ka goditur me pëllëmbë në fytyrë Ganiun. Ndërkohë Arjaniti u thotë që nuk keni punë ta godisni këtë pasi është me mua. Pas këtyre fjalëve, Gjioveshaj godet me pëllëmbë dhe shkelma në bark Arjanitin. Ndërkohë në këtë pjesë të lokalit vijnë dhe dy personat e tjerë që ishin fillimisht me viktimën. Në kohën që këta ishin duke shkuar, Arianit Kondi nxjerr nga çanta që mbante varur ne sup një armë pistoletë dhe qëllon me të disa herë në drejtim të trupit të Ergys Gjioveshajt. Ky i fundit bie në tokë dhe mundohet të largohet për në pjesën tjetër të lokalit. Gjatë kësaj kohe Arjanit Kondaj e ndjek nga pas duke e qëlluar sërish me armë nga mbrapa. Ndërkohë njëri nga personat që shoqëronte viktimën ka nxjerrë një armë zjarri pistolete dhe ka gjuajtur disa herë në drejtim të Arjanit Kondaj. Ky i fundit është larguar në errësirë së bashku me Gani Tozaj”, sqaron dinamikën e ngjarjes Prokuroria e Vlorës.

Policia e Vlorës vuri në pranga rreth orës 6 të mëngjesit, Gani Tozajn 19 vjec me origjinë nga fshati Sevaster i Vlorës. Ai ishte fshehur në banesën e vëllait të Arjanit Kondaj.   Gani Tozaj dyshohet për veprën penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim.

Ndërsa Arjanit Kondaj është shpallur në kërkim për veprën penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve dhe municioneve luftarake“. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat