Ekonomi takim në Berat me bizneset në fushën e turizmit

Shqipëria

Ekonomi takim në Berat me bizneset në fushën e turizmit

Më: 23 prill 2017 Në ora: 06:15
Milva Ekonomi dhe Eduard Shalsi në qytetin e Beratit

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi së bashku me ministrin për Çështjet Vendore, Eduard Shalsi zhvilluan sot një takim në qytetin e Beratit me përfaqësues të hoteleve dhe restoranteve në qytet.

Tema kryesore e diskutimit ishte ligji i ri për uljen e TVSH për strukturat akomoduese nga 20 % në 6% dhe impaktin që do të ketë kjo masë në përmirësimin e standardeve të këtyre strukturave. Ky ligj mori mbështetjen dhe vlerësimin nga përfaqësuesit e hoteleve në takim, pasi ulja e taksës është një ndihmë e madhe që biznesi i tyre të marrë frymë dhe të zgjerohet.

Tjetër temë që u diskutua ishte forcimi i rolit të Dhomës së Tregtisë dhe pjesëmarrja në to kryesisht e operatorëve turistike, të cilët mund të adresojnë së bashku në një zë problemet e tyre. Më pas ky bashkëpunim duhet të japë ndikimin e vet në forcimin e Unionit të Bizneseve, si një zë i forte pranë Qeverisë.

Ministrja informoi të pranishmit për Këshillin e Investimeve, i cili gjate dy viteve të fundit ka kontribuar shumë në përmirësimin e marrëdhënieve midis administrates dhe biznesit, pasi në këtë këshill që drejtohet nga Ministri i Ekonomisë, ngrihen mjaft probleme që vijnë nga biznesi dhe shumica e tyre janë adresuar nga Qeveria.

Ekonomi gjithashtu theksoi se një nga objektivat kryesore të Ministrisë që ajo drejton është heqja e barrierave jo tarifore e cila synon të ndihmojë bizneset. Duke iu drejtuar operatorëve turistikë të pranishëm në takim, Ministrja i ftoi ata që të marrin pjesë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare për të promovuar vlerat e qytetit, por dhe të zonave turistike rreth tij.

Ajo shtoi se në Berat duhet punuar më shumë në krijimin e atraksioneve të reja turistike, pasi qyteti ka shumë potenciale që duhen shfrytëzuar, në mënyrë që turistët që vijnë në Berat të mos vizitojnë thjesht zonën muzeale të qytetit të shpallur si të mbrojtur nga UNESCO por të kenë mundësi të njihen me gjithë traditat e zonës, me kulinarinë, dhe produkte të tjera turistike si sported e aventurës që të qëndrojnë më gjatë në këtë qytet.

Ministrja ftoi operatorët turistike, apo bizneset e tjera që të marrin pjesë në programet për nxitjen e konkurueshmërisë, apo thirrjet për projekte turistike autoktone që mbështeten nga Ministria e Ekonomisë

Më tej, në takim u diskutuan edhe probleme konkrete të Bashkisë Berat lidhur me përmirësimin e kushteve për një turizëm më cilësor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat