Basha e mbyll protestën duke kënduar himnin e flamurit

Shqipëria

Basha e mbyll protestën duke kënduar himnin e flamurit

Më: 24 prill 2017 Në ora: 11:14
Pamje nga protesta e PD-së

(E plotësuar) - Një orë pasi qëndroi bashkë me protestuesit, ulur këmbëkryq në rrethrrotullimin tek dogana, kreu i opozitës, Lulzim Basha iu drejtua mbështetësve me një mesazh.

Basha përsëriti kërkesat e opozitës për qeverinë teknike, dekriminalizimin, votimin elektronik dhe më pas votimin e vetingut për reformën në drejtësi, sipas marrëveshjes së 22 korrikut.

Basha ftoi qytetarët të largohen pa iu përgjigjur provokimeve, ndërsa bashkë me protestuesit kënduan himnin e flamurit.

***

Partia Demokratike bllokoi sot akset nacionale si dhe disa rrugë kryesore në Tiranë. Protesta nisi në orën 11:00, për të vijuar deri në orën 12:00, siç ishte lajmëruar nga organizatorët.

Qendra e protestës së sotme ishte sheshi “Shqiponja”, ku bashkë me protestuesit dhe deputetët e opozitës, ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Jemi bashkuar për zgjedhje të lira e të ndershme, që do të largojë kriminelët nga institucionet, që do të luftojë drogën e do të krijojë kushtet për zgjedhjet e lira e të ndershme dhe zbatimin menjëherë të vetting-ut dhe reformës në drejtësi. Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë sakrificë dhe qëndresë”, tha Basha në fund të protestës.

Ndërsa deputeti demokrat Flamur Noka tha se bëhet fjalë për “një protestë paqësore dhe për tu marrë shembull”.

PD nis bllokimin e rrugëve, ekspertët e huaj po monitorojnë

Opozita shqiptare nisi në orën 11:00 të ditës së hënë bllokimin e disa akseve rrugore, ashtu siç kishte parashikuar.

Në hyrje të Tiranës, në sheshin “Shqiponja”, mbërriti kreu i PD, Lulzim Basha.

Deputeti demokrat, Flamur Noka tha se protesta nuk do jetë e dhunshme.

“Protesta nuk do jetë e dhunshme, s’jemi opozita e djeshme që djegim gomat. Do të jem unë garant, jam në krye të protestës te shkolla ‘Teknologjike’. Qeveria të lexojë qartë mesazhin, ndryshe protesta përshkallëzohet,” tha Noka.

Ndërkohë Forcat e Policisë në detyrë sot, përballë protestës së opozitës, do të asistohen nga ekspertë të misioneve të huaja pranë Policisë së Shtetit.

Ekspertët e huaj kanë trajnuar policinë për menaxhimin e tubimeve.

Burime pranë policisë thonë se ekspertët do të mbështesin me këshilla dhe teknologji për monitorimin e situatës.

Asistenca do të jetë për dokumentimin e protestës dhe reagimin për çdo situatë.

Ndërkohë mësohet se policia ka vënë në aplikim teknologjinë e fundit, për fiksim, filmim dhe identifikim të personave në protestë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat