Deputeti i PS: Bashës po i mbarojnë opsionet

Shqipëria

Deputeti i PS: Bashës po i mbarojnë opsionet

Më: 24 prill 2017 Në ora: 15:01
Taulant Balla

Pas protestës që mbajti sot Partia Demokratike e Shqipërisë, ka pasur reagime të shumta në radhët e Partisë Socialiste.

Edhe deputeti Taulant Balla me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me këtë tubim.

Ai është shprehur se as qytetarët dhe as vetë mbështetësit e kësaj partie nuk po e kuptojnë se çfarë po kërkon PD.

“Opsionet e mundshme të PD-së po mbarojnë. Ne nuk do t’i lëmë ata të mbajnë peng zbatimin e reformës në drejtësi dhe ekonominë e Shqipërisë edhe për shumë kohë akoma”, ka shkruar ai.

Statusi i plotë i tij:

Shqiptarët duan drejtësi dhe punësim. Por, askush nuk e kupton se çfarë kërkon PD-ja – as qytetarët, as mbështetësit e vetë bashkë me ata pak që bllokuan rrugën, dhe aq më pak, miqtë e partnerët tanë europianë.

Fatkeqësisht, Lulzim Basha po vendos interesat personale përpara interesave të Shqipërisë. Ai dhe ajo cfarë ka mbetur Partia Demokratike po e bëjnë këtë, pikërisht nga frika – frika nga vetting-u dhe frika nga humbja.

Nga kjo frikë kanë vendosur të bllokojnë rrugën e integrimit europian të Shqipërisë duke bërë gjithçka për të bllokuar vettingun. Sot bllokojnë edhe rrugët që çojnë qytetarët në punë, në shkolla, në spitale.

Harroje Lulzim se mund të bllokosh Shqipërinë. Pa vetting nuk ka drejtësi dhe pa Europë nuk ka shpresë për zhvillim ekonomik. Ti dhe çfarë ka mbetur nga PD-ja po përpiqeni të vrisni qoftë shpresën për drejtësi, qoftë aspiratën për një jetë më të mirë të shqiptarëve.

Hap pas hapi, ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam. Duke ndërtuar shtetin, duke mbledhur taksat, duke mundësuar realizimin e investimeve të mëdha në infrastrukturë, në bujqësi, në shëndetësi dhe me projektet e rilindjes urbane, të cilat do të sjellin krijimin e vendeve të reja të punës.

Opsionet e mundshme të PD-së po mbarojnë. Ne nuk do t’i lëmë ata të mbajnë peng zbatimin e reformës në drejtësi dhe ekonominë e Shqipërisë edhe për shumë kohë akoma.

Ne, Lulzim, do jemi me shqiptarët më 18 Qershor për Shqipërinë që Duam, ti vazhdo me interesat dhe frikën tënde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat