Ora që bllokoi Shqipërinë, protesta 60-minutëshe e opozitës

Shqipëria

Ora që bllokoi Shqipërinë, protesta 60-minutëshe e opozitës

Më: 24 prill 2017 Në ora: 15:48
Protesta e opozitës

Opozita doli të hënën për një orë nga çadra e protestës përpara Kryeministrisë dhe bllokoi hyrje-daljet e kryeqytetit në një akt të mosbindjes civile.

Në diten e 66-të të protestës, kërkesa e opozitës është e pandryshueshme. “Për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike”, deklaroi kryetari i PD, Lulzim Basha.

Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zgjodhi për të protestuar rrethrrotullimin tek Shqiponja. Protesta e opozitës bllokoi për një orë qarkullimin e mijëra qytetarëve, por për kreun e demokratëve kjo është një sakrificë e vogël.

“Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe europiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet”, tha Basha.

Protesta e opozitës me bllokimin për 1 orë të transportit kombëtar u zhvillua një ditë përpara mbërritjes në Tiranë të negociatorëve europianë për krizën politike. Basha nuk e ka fshehur se përshkallëzimi i protestës të hënën është vetëm një paralajmërim.

“Ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi Basha.

Kur negociatorët europianë të vijnë të martë në Tiranë, trafiku nuk do të jetë politikisht i bllokuar, por deri tani askush nuk jep ndonjë garanci se negociatorët do t’ia dalin të zhbllokojnë situatën politike, duke mundësuar një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat