Bllokoi rrugën me dhi, fermeri nga Shkodra rrëfehet në Polici: Ja pse e bëra

Shqipëria

Bllokoi rrugën me dhi, fermeri nga Shkodra rrëfehet në Polici: Ja pse e bëra

Më: 24 prill 2017 Në ora: 18:02
Ilustrim

Një nga protestat më të veçanta të ditës së sotme, ishte edhe bllokimi i rrugës kombëtare Lezhë-Shkodër, nga 62-vjeçari Lush Lushi i cili për disa minuta pengoi qarkullimin e mjeteve me një tufë bagëtish.

Fillimisht në media u raportua se ky veprim i tij kishte të bënte me protestën kombëtare të organizuar sot nga Partia Demokratike.

Por referuar procerverbalit të marrjes së tij në pyetje nga policia, që ka siguruar “BalkanWeb”, rezulton se Lushi, siç pohon edhe vetë, nuk kishte bllokuar rrugën për t’iu bashkuar thirrjes së Lulzim Bashës por për të protestuar ndaj Drejtorisë së Bujqësisë në Shkodër, me pretendimin se i kishte vjedhur subvencionet për bagëtitë.

Konkretisht, i pyetur ndër të tjera nga oficeri i policisë gjyqësore, Petrit Gazulli se përse kishte zgjedhur ditën e sotme dhe rrugën në fjalë për të protestuar, fermeri i është përgjigjur se “sot më datë 24.04.2017, rreth orës 11:50, kam dalë me dhen e keca rreth 45 copë, të cilat i kam kaluar nëpër rrugë për rreth 4 minuta në shenjë proteste ndaj Drejtorisë së Bujqësisë Shkodër dhe konkretisht ndaj shefit të quajtur Selim Kraja, i cili më ka vjedhur çdo subvension që më ka dhënë shteti, qoftë për sëmundje ‘Bercelozës’ apo edhe sëmundje të tjera dhe mbi të gjitha nuk më është bërë matrikullimi i dhenve”.

Fermeri gjithashtu ka rrëfyer para policit gjyqësor se “për këtë rast jam ankuar deri tek kryeministri, Edi Rama, kur ai ka marrë detyrën dhe jam ankuar edhe për shtetasin, Selim Kraja. Unë nuk kam mundësi që të shes bagëtinë pasi nuk lejohet që t’i shes pa numrin e matrikullit dhe kjo ka qenë arsyeja e kësaj proteste. Pikërisht sot mbasë dikush mund ta marrë seriozisht shqetësimin që unë kam në lidhje me matrikullimin e dhenve”, – ka rrëfyer fermeri Lushi.

I pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore, Petrit Gazulli nëse veprimet e tij kishin lidhje me protestën e PD-së për të bllokuar rrugët në akset nacionale, fermeri Lush Lushi i është përgjigjur: “Pyetjet e kuptova dhe në lidhje me të kam për të thënë se unë kam njoftuar mediat e Shkodrës që të më vijë dhe të verifikojnë nëse dhent e mi kanë matrikuj apo jo dhe se unë nuk kam të bëj me thirrjet e Partisë Demokratike për të bllokuar rrugët”, – ka deponuar fermeri Lushi.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat