BE: Rama-Meta i pranuan propozimet tona, Basha refuzoi

Shqipëria

BE: Rama-Meta i pranuan propozimet tona, Basha refuzoi

Më: 25 prill 2017 Në ora: 15:47
Dy negociatorët e Bashkimit Europian Fleckenstein dhe McAllister

(E plotësuar) - Bashkimi Europian ka lëshuar një deklaratë, pas takimeve të zhvilluara nga McAllister dhe Fleskenstein në Tiranë.

Në deklaratë thuhet se mazhoranca ka pranuar kërkesat e BE-së, ndryshe nga Partia Demokratike.

Deklarata

“Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian David McAllister (EPP) dhe paportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein, u takuan me shumicën dhe opozitën, dhe patën një diskutim të mirë.

Të dy deputetët paraqitën propozime për rrugën përpara, që përfshinte disa pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik.

Ata gjithashtu propozuan ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme para-zgjedhore në strukturat qeveritare për të ndërtuar besimin afatgjatë në sistem.

Shumica ishte dakord më marrëveshjen dhe pikat e parashikuara për sa kohë që votimi do të votohej në parlament.

Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Çfarë ndodhi brenda Pallatit të Kongreseve? Oferta që iu bë Bashës dhe pse Meta u rreshtua me Ramën

Tre kanë qenë pikat që kanë propozuar dy negociatorët e BE, David McAllister dhe Knut Fleckenstein për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Pikat ishin:

1-Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe kreu i KQZ t’i jepet opozitës

2-Të ndryshohet kupola drejtuese të policisë

3-Kriminalizim i shit/blerjes së votës

Por në këtë draft-marrëveshje nuk është përfshirë kërkesa e opozitës, ajo për qeveri teknike.

Dhe pikërisht kanë dështuar negociatat.

Duket se Bashën nuk e ka bindur as nënkryetari i PPE-së McAllister për t’u tërhequr nga qeveria teknike.

Prapaskenat

Blendi Fevziu shkruan se Rama dhe Meta kanë bërë një lëshim të madh për Bashën. Veç pranimit të tre pikave të mësipërme, ata janë treguar të gatshëm të rishikonin edhe datën e zhvillimit të zgjedhjeve në një limit të moderuar. Si një datë e mundshme shihej 16 korriku.

Por Basha ka kërkuar sërish si kusht qeverinë teknike.

Mosndryshimi i pozicionit të Bashës edhe pas lëshimeve të fundit të bëra nga Rama-Meta ka bërë që dy eurodeputetët të ndërprisnin negociatat.

David McAllister dhe Knut Fleckenstein do të largohen nesër në mëngjes nga Tirana, çka do të thotë se nuk do të ketë negociata.

Tashmë, pritet deklarata e negociatorëve.

Image
Fytyra e Metës pas takimit flet shumë…

Çfarë do të ndodhë tani?

Ilir Meta pas negociatave të sotme është “dorëzuar” dhe pas refuzimit që u ka bërë Basha ofertave, ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhje, edhe pa PD-në.

Nëse PD nuk do të tërhiqet nga kushti i saj për qeveri teknike, atëherë për herë në historinë e pluralizmit zgjedhjet do të zhvillohen pa opozitën zyrtare.

Dështon misioni i McAllister, nuk ka zgjidhje mes palëve

Misioni i David McAllister në Tiranë për zhbllokimin e ngërçit politik duket se ka dështuar. Sipas burimeve, nuk ka zgjidhje nga negociatat e mbrëmjes së të martës mes palëve.

Burime nga mazhoranca për Top Channel kanë thënë se “nuk ka zgjidhje, por do të ketë zgjedhje” më 18 qershor. 

Mësohet se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar që pjesë e draftit të ishte edhe qeveria teknike, një kërkesë që nuk është pranuar.

Sipas burimeve, nuk do të ketë më negociata. Tashmë, pritet deklarata e negociatorëve.

Image
Dy negociatorët e Bashkimit Europian Fleckenstein dhe McAllister pas takimit me Bashën

Përfundon takimi 90-minutësh mes Bashës dhe dy zyrtarëve të PPE

Ka zgjatur 90 minuta takimi mes kryetarit të PD Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të BE, David McAllister dhe Knut Fleckenstein.

Takimi mes tyre u zhvillua në selinë e PD dhe u diskutua për të arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike.

Dallon buzëqeshja në fytyrat e Bashës, Gert Bogdanit dhe Oerd Bylykbashit.

Takimi mes Bashës dhe zv.Presidentit të PPE-së, David McAllister dhe eurodeputetin Knut Fleckstein zgjati 90 minuta. Bisedimet u zhvilluan në selinë e PD-së.

Takimi mbaroi në ora 17:35. Ende nuk bëhen të ditura detaje nga takimi.

Në ora 15:00 negociatorët europianë u takuan me Edi Ramën dhe Ilir Metën në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Nuk ka ende deklaratë nga asnjë prej palëve dhe nuk ka informacion nëse është arritur ndonjë marrëveshje.

McAllister dhe Fleckenstein takim një orësh me Ramën e Metën

Zëvendëspresidenti i PPE-së, David Mc Allister dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein kanë takuar për rreth një orë Edi Ramën dhe Ilir Metën tek Kryesia e Kuvendit.

Edi Rama është parë të hyjë në Kryesinë e Kuvendit i shoqëruar nga Gramoz Ruçi, si dhe Taulant Balla.

Kreu i qeverisë ka lënë godinën e Kryeministrisë, duke kaluar pranë çadrës së ngritur nga opozita dhe më pas është futur në Kryesinë e Kuvendit.

Meta në këtë takim shoqërohej nga Luan Rama dhe Petrit Vasili.

Pas takimit me dy aleatët Rama e Meta, zyrtarët e PPE-së dhe PE-së do të shkojnë tek lideri i PD-së, Lulzim Basha.

Ende nuk bëhen të ditura detaje nga takimi që ka përfunduar në orën 16:10, kohë kur dy zyrtarët e PPE dhe PE kanë lënë ambientet e Kryesisë së Kuvendit, për t’iu drejtuar selisë blu.

Nisin negociatat, Fleckenstein e McAllister takim me Ramën dhe Metën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar Gramoz dhe deputeti Taulant Balla kanë arritur në Kryesinë e Kuvendit, aty ku do të zhvillohet edhe diskutimi.

Vetëm 2 minuta më vonë në Kryesinë e Kuvendit kanë arritur edhe dy negociatorët e Bashkimit Europian Fleckenstein dhe McAllister.

Sot është ditë vendimtare për çadrën e opozitës dhe krizën politike krijuar në vend 67 ditë pas nisjes së protestës.

Negociatori McCallister ka mbërritur në Tiranë së bashku me Knut Fleckenstein.

Fleckenstein dhe McCallister zhvilluan një takim të përbashkët me Metën dhe Ramën, ndërsa me Bashën do të takohet kokë më kokë.

Takimi do të nisë rreth orës 16:00 dhe Partia Demokratike ka preferuar që të mos e takojë Knut Fleckenstein, përderisa nuk e quan atë negociator, por edhe për deklaratat e tij të mëhershme që tha se “qeveria teknike nuk është e nevojshme”.

Pritet që pakti që po negociojnë gjatë këtyre orëve, dy eurodeputetët, përfaqësues të lartë të dy grupimeve më të mëdha të Parlamentit Europian t’i japë zgjidhje krizës, e cila duket e pakalueshme për shkak të qëndrimeve të palëkundura të palëve.

Në pritje të vizitës së eurodeputetëve, diplomatët në Tiranë zhvilluan takime me përfaqësues nga opozita dhe mazhoranca.

Ambasadori Donald Lu bisedoi dje për disa orë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në zyrën e këtij të fundit, ndërsa sot ai është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat