“Furtunë” në Policinë e Shtetit, çfarë pritet të ndodh ditën e sotme

Shqipëria

“Furtunë” në Policinë e Shtetit, çfarë pritet të ndodh ditën e sotme

Më: 26 prill 2017 Në ora: 10:33
Policia shqiptare

Nisin ndryshimet në Policinë e Shtetit. Rokada e disa drejtuesve të Policisë, që përflitej prej disa ditësh, është formalizuar dje pas një mbledhjeje që drejtori i Përgjithshëm Haki Çako ka zhvilluar me vartësit e tij.

Takimi i zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit e drejtorive vendore, nuk kaloi pa vërejtje në drejtim të situatës së fundit kriminale, kryesisht sasive të mëdha të kanabisit që po sekuestrohen.

Ndonëse ka pasur masa të ashpra disiplinore, për rastet kur ka pasur dyshime se drejtues policie nuk e kanë bërë siç duhet punën e tyre në drejtim të planit antikanabis, drejtori Çako nuk është mjaftuar vetëm me kaq.

Burime jozyrtare për “Panorama” nga Policia e Shtetit thanë dje se janë propozuar transferime të 6 drejtuesve të Policisë në qarqe, por edhe disa shefave të komisariateve. Deri tani është formalizuar vetëm urdhri i transferimit për drejtorin e Përgjithshëm të Krimit të Organizuar dhe Hetimit të Krimeve të Rënda, Ardian Çipa.

Vendim që është konfirmuar edhe nga vetë Çipa, i cili, edhe pse nuk ka dhënë shpjegime rreth motiveve të largimit, ka pohuar se transferimet janë pjesë e punës në Policinë e Shtetit. Burimet thanë se Ardian Çipa pritet të emërohet në krye të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Ndërsa vendin e tij në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është propozuar për ta zënë Sokol Bizhga, i cili më parë ka qenë aty si zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

NDRYSHIMET

Disa ngjarje kriminale, por kryesisht situata me kanabisin, me sasi të mëdha që po zbulohen çdo ditë në vend, kanë qenë objekt i një mbledhjeje të kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, me drejtues të lartë policie. Në takim kanë qenë të pranishëm 12 drejtuesit e Policisë në qarqe, si dhe drejtues të sektorëve e drejtorive të tjera në Policinë e Shtetit.

Burime të rezervuara nga Policia thanë se takimi nuk ka kaluar për vërejtje të ashpra në drejtim të disa strukturave të Policisë në rrethe, ku janë përmendur edhe procedimet disiplinore që kanë nisur prej disa javësh për drejtues të lartë Policie.

Zyrtarisht nuk konfirmohen ndryshimet që pritet të formalizohen paraditen e sotme, me urdhrat që do të firmosë Haki Çako. Por burime jozyrtare thanë se bëhet fjalë për lëvizje të drejtuesve në Policinë e Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Gjirokastrës dhe Beratit.

Gjithashtu, ndryshime do të ketë edhe në disa komisariate, kryesisht në ato zona ku ka pasur zbulueshmëri të ulët të ngjarjeve kriminale, apo janë zbuluar sasi kanabisi, të paraportuara më parë.

Burimet thanë se ende nuk është marrë një vendim konkret nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako. Ndërsa pritet edhe një miratim nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Megjithatë, burimet thanë se nuk bëhet fjalë për shkarkime, por për transferime në pozicione të tjera, siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat