Detajet e atentatit mafioz në Sukth, zbulohet makina e autorëve

Shqipëria

Detajet e atentatit mafioz në Sukth, zbulohet makina e autorëve

Më: 26 prill 2017 Në ora: 13:53
Vetura

“Të lajmërohet Ervin Dalipaj për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit për të dëshmuar! Njoftimi të bëhet sot! Shtyjmë seancën...!Të lajmërohet me shpallje në banesë dhe në gjendjen civile! ”

Ky ishte vendimi që mori Gjykata e Krimeve të Rënda në seancën e radhës që u zhvillua dje, ndërsa avokati mbrojtës i të shumëkërkuarit, që pretendohej se ishte jashtë vendi e madje edhe në një zonë fort të njohur të vendeve fqinje, i tha gjykatës se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e Ervin Dalipajt, djalit që kur u shkarkua nga policia 3 vite më parë ishte me gradën e “komisarit”! Pak momente pasi gjykata dha këtë vendim, nga Sukthi vjen lajmi i një atentati!

Dy persona ishin ekzekutuar brenda një mjeti! Makina u gjend jashtë rruge dhe dy persona të masakruar me plumba! Pas më pak se gjysmë ore, policia konfirmon se njëri nga të ekzekutuarit ishte pikërisht Ervin Dalipaj! Ai udhëtonte në një mjet luksoz bashkë me një djalë nga Vlora, edhe ai i akuzuar për një vrasje, madje i dënuar nga një shkallë gjyqësori por më pas i liruar nga çdo akuzë nga shkalla tjetër! Dalipaj, i kërkuar për rrëmbimin, dhunimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut, ishte i kërkuar që nga janari i një viti më parë, ndërsa dje ekzekutohet me një mori plumbash! Policia, si në të gjitha rastet e ekzekutimeve të bujshme, mbledh në vendin e ngjarjes vetëm gëzhoja, shoqëron ndonjë kalimtar rasti, sigurisht nëse qëndrojnë aty dhe urdhërojnë ngritjen e post-blloqeve! Në fakt, ende janë të mjegullta një sërë detajesh edhe fizike të vendit të ngjarjes, ndërkohë që policia mbrëmë mohoi kategorikisht të kishte pamje nga atentati. Në vendin ku ka ndodhur krimi, gjendet një biznes me një kamera që është me fokus nga rruga! Njëkohësisht, aty ka pasur edhe persona që e kanë parë ngjarjen, por që më pas, janë larguar për të mos qenë pjesë orëve të tejzgjatura në komisariatet policore. 

Ervin Dalipaj, babai i një vajze të mitur, e cila prej shumë kohësh qëndron te gjyshërit e saj në Elbasan, u përjashtua nga policia në dhjetorin e 2013-s, pikërisht kur kishte një karrierë 12-vjeçare në radhët e bluve dhe në poste të larta drejtuese, ndërsa u akuzua nga policia e asaj kohe se ai bashkë me disa të tjerë kishin lajmëruar disa persona për aksionin e “famshëm” kundër lojërave të fatit. 

Atentati! 

Ervin Dalipaj 38 vjeç, nga Tirana, dhe Juxhin Dauti, 27 vjeç, nga Vlora janë viktimat e atentatit të djeshëm në mes të ditës dhe në mes të rrugës më të frekuentuar në Shqipëri! Autorët, që mësohet të kenë qenë të paktën tre persona, mendohet se kanë qëndruar në mjetin e tyre në pritje të ardhjes së makinës Audi për të cilën me sa duket kanë pasur dijeni që do të ishte makina me të cilën lëvizte shënjestra! Ende nuk është bërë e qartë, nëse makina e vrasësve ka udhëtuar me ta, apo ka qëndruar në një tip parkingu që gjendet në afërsi të vendit të ngjarjes! Nga shumë afër parkingut në fakt kanë nisur breshëritë e para. Mjeti ka lëvizur me shpejtësi të madhe, por autorët kanë vijuar të qëllojnë dhe për pasojë makina e Ervinit dhe Juxhinit ka dalë nga rruga. Sërish autorët kanë qëlluar me breshëri në ikje e sipër, ikje për të cilën ende policia e Durrësit nuk ka asnjë version, se nga e si, por të paktën është një dëshmi e një kalimtari të rastësishëm që ka parë një mjet me ngjyrë afër të zezës, tip BMV X5, pa targa, që po largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes! Madje, sipas të dhënave të policisë mësohet se ky mjet, që ende nuk dihet nëse ka pasur vrasësit brenda, ka lëvizur në drejtim të Shijakut. Por janë burimet nga vendi i ngjarjes që bëjnë me dije se nga aty autorët mund të kenë lëvizur në çfarë drejtimi të kishin dëshirë për shkak se vetë pozicioni në të cilin është kryer prita, është e atillë që mund të të krijohet mundësia të futesh në Sukth, të ikësh për Shijak, për Tiranë, por edhe mund të kthehesh lehtësisht për Durrës. 

Gjithsesi deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme asnjë e dhënë e duhur nuk është poseduar nga policia dhe prokuroria, veç faktit që Dalipaj akuzohej për atë ngjarje monstruoze të rrëmbimit dhe vrasjes së Gaz Çollaktut, djalit durrsak që u gjend i ekzekutuar me plumb në kokë, i lidhur me tela me gjemba dhe i hedhur në anë të një kanali në Merqinë të Krujës! 

Vrasja e ish-komisarit të policisë, Ervin Dalipaj vjen vetëm 2 javë nga ekzekutimi i një tjetër eksponenti të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, Artan Cukut i cili u largua nga policia në të njëjtën kohë me Dalipajn, por që drejtonte gjithë policinë e Vlorës në momentin kur iu paraqit edhe ‘shkrirja’ e pozicionit të punës së tij prej drejtuesi të lartë Policie! 

Kryepolici Çullhaj flet për vrasjen 

Pika në të cilën është bërë atentati ka qenë shumë e përshtatshme jo vetëm për ekzekutimin, por edhe për mundësinë që ju jepte autorëve të krimit për tu larguar nga vendngjarja. Ata mund të jenë larguar në drejtim të Katër Rrugëve të Shijakut, ku mund të depërtonin në zonat e fshatrave ,qytetit të Shijakut apo Durrësit, ku përsëri kanë pasur degëzime në zonën e Shkozetit. Një itinerar i mundshëm i lëvizjeve mund të ketë qenë dhe ai në drejtim të “Mbikalimit të Sukthit”, ku mund të vazhdonin drejt Tiranës, Sukthit apo Durrësit. Po kështu atentatorët mund të kenë lëvizur drejt Maminasit për t’u devijuar më pas drejt fshatrave të Manzës. Gjithsesi, forcat të shumta policie janë vënë në kërkim të autorëve të krimit, duke ndjekur të gjitha linjat e mundshme të lëvizjeve dhe gjurmëve që mund të kenë lënë autorët e krimit.

Sipas Drejtorit të Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj, bëhet e ditur se “Policia është angazhuar maksimalisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit. Mendohet se ekzekutimi është bërë me armë automatike, ku viktimat janë qëlluar me breshëri plumbash, teksa po udhëtonin me një “Audi” me targa AA 111 OI. Grupi hetimor po shqyrton të gjitha provat e mundshme për zbardhjen e ngjarjes. Për momentin nuk mund të thuhet asgjë në lidhje me autorët e mundshëm të vrasjes dhe rrethanat e vrasjes, deri në momentin që grupi hetimor do të paraqesë versionin e tij”.

Policia në kërkim të BMV-së së vrasësve që nuk rezulton e grabitur!  

Kanë kaluar disa orë nga vrasja e bujshme në vendin e quajtur Mbikalimi i Durrësit dhe Policia është vënë në kërkim të një mjeti me karakteristikat e marra në vendin e ngjarjes! Duke bërë të mundur gjetjen e llojit të mjetit me të cilin është kryer atentati, mësohet se policie ende po punon për të gjetur gjurmët e kësaj makina pasi në regjistrat e policisë nuk rezulton asnjë makinë e këtij tipi e grabitur në vendin tonë. Janë kryer shoqërimet e para dhe mësohet se janë të pakta dëshmitë që lidhen me momentin e ekzekutimit. Ndërsa policia dhe prokuroria e Durrësit kanë kërkuar të zbulojnë se cili ka qenë itinerari i lëvizjes për gjatë paradites së djeshme të dy personave, ku mësohet se në kohën kur në Gjykatën e Tiranës zhvillohej një seancë gjyqësore pikërisht për Dalipajn, ky i fundit bashkë me  djalin nga Vlora kanë qenë pikërisht në Tiranë! 

Sipas të dhënave policore prita ka ndodhur rreth dy orë pasi gjykata i kërkonte policisë të çonte te banesa e Dalipajt ftesën e dijenisë për gjyqin e madje, nëse nuk do të gjendej ndonjë person aty të bëhej edhe shpallje në derën e shtëpisë! Një prej dëshmitarëve të vendit të ngjarjes mësohet se i ka thënë policisë detaje jo pak të rëndësishme për sa mund të thuhet, pavarësisht faktit se është mjaft e vështirë të gjenden persona që të pranojnë të rrëfejnë atë moment kur është qëlluar me breshëri kallashnikovësh mbi mjetin luksoz me të cilin udhëtonte Dalipaj dhe djali nga Vlora i cili gjendej edhe në drejtimin e makinës, që sigurisht që nuk ishte në emrin e asnjërit prej tyre, por të një personi të njohur nga ana e Dalipajt! 

Vrasjet 

Me dy viktimat e djeshme, numri që pretendohet që është ekzekutuar brenda dy grupeve, nëse mund të konsiderohen grupe është 6 në pak vite. Pesë viktima janë shënuar që nga fundi i dhjetorit të 2015, kohë kur në Durrës do të ekzekutoheshin dy djem të rinj në afërsi të ish-Vollgës. Viktima e tretë ishte pikërisht Gazmend Çollaku, djali që u rrëmbyer nga katër “policë” po në mes të Durrësit. U gjet të nesërmen i ekzekutuar me plumb në kokë, i lidhur dhe i hedhur në kanal. Vrasja e Çollakut natën e 6 janarit duke gdhirë data shtatë, që policia e gjithë vendit nuk arritën dot ta gjenin edhe pse autorët ikën bashkë me viktimën e tyre nga Durrësi, kaluan nëpër Vorë dhe e hodhën në Krujë. Kohë para se të vriteshin dy djemtë në afërsi të Vollgës, në Golem do të ekzekutohej një tjetër person, i cili u tha se ishte rival me grupin e tyre. Policia ende nuk është në gjendje të shpjegojë se si ka mundur të hyjë në një grup që konsiderohet kriminal një ish-zyrtar i lartë i policisë, por për aktin makabër të vrasjes së Çollakut policia arrestoi Denis Shtrazën dhe shpalli në kërkim Dalipajn. Por nëse Shtraza u arrestua teksa tentonte të largohej, Dalipaj doli nga ‘arratia’ ne televizion  dhe mohoi lidhjet me krimin e rëndë të vrasjes së Çollakut. Edhe vëllai i Shtrazës kohë më vonë bëri të njëjtat deklarata duke mohuar lidhjen e vëllait më atë krim, por Denis Shtraza edhe ditën e djeshme ishte në gjykatë, madje qëndroi para trupit gjykues pa hapur zërin fare!

Kush ishin shënjestrat, njëri në kërkim dhe tjetri i liruar nga Apelit 

Bashkë me Ervin Dalipaj, në Mbikalimin e Sukthit mbeti i vrarë dhe Juxhin Dauti 27 vjeç. Ndërsa Dalipaj akuzohej për vrasjen e Gazmend Collakut, Dauti është akuzuar për një tjetër krim, në qytetin e Vlorës. Juxhin Dauti, 27 vjeç, kur ishte 22 vjec është akuzuar për një vrasje më 17 mars 2012 në Vlorë ku mbeti i vrarë me tre plumba pistoletë 31­vjeçari Fatjon Bani. Sipas raportimit të Policisë në vitin 2012, Juxhin Dauti, asokohe 22 vjeç, sapo ishte kthyer nga Italia, është zënë me Fatjon Banin në një lokal në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, afër repartit zjarrfikës. Pas konfliktit, për motive banale të çastit, 31­vjeçari është ngritur dhe ka hipur në makinën e tij. Ky moment ka qenë fatal, pasi Dauti e ka arritur dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Siç raportonte asokohe policia, dy personat kishin njohje prej kohësh dhe para se të ndodhte krimi, të dy djemtë ndodheshin në një prej lokaleve të zonës së njohur si “Aleksandria”. 

Dauti ka ndjekur shokun e tij duke e qëlluar brenda në makinë, pa arritur të largohet në kohë. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Vlorës ka ngritur postblloqe të shumta për kapjen e autorit të identifikuar. Dauti ka qenë dënuar edhe para vrasjes së vitit 2012 për armëmbajtje pa leje. Gjykata e Shkalles së Parë e dënoi me 23 vjet burg autorin, por ajo e Apelit më 22 gusht të 2015 ka hedhur poshtë vendimin, ndërsa shumë dëshmitarë kishin ndërruar dëshmitë. Nëna e viktimës tha pas tij vendimi se djali iu vra për të dytën herë, ndërsa prokuroria nuk e ankimoi fare vendimin e apelit, duke e lënë të lirë viktimën e djeshme! “Komisari” Dalipaj, që mendohet të ketë qenë objekti i këtij atentati thuhet se ka marrë rreth 20 plumba në kokë dhe shpatull. 

Dyshimet e para janë për një hakmarrje, pasi mendohet që ngjarja lidhet me krimet në qytetin e Durrësit e përkatësisht me rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut. Për këtë krim, në akuzë zyrtarisht ka qenë Ervin Dalipaj, së bashku me Denis Shtrazën. Por para se të përfshihej në përplasjen e bandave në Durrës, Dalipaj ishte një shef policie që mbante gradën Komisar.  

Në karrierën e tij në polici, ai ka mbajtur postin e shefit të hetimit të krimeve të Elbasanit dhe Komisariatit Nr. 4 në Tiranë. Po ashtu ai ka mbajtur edhe funksione të ndryshme në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, përpara se të emërohej në detyrën e Shefit të hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Tiranë, funksion që mbajti deri në dhjetor të vitit 2013, kur u përjashtua bashkë me gjithë skuadrën që drejtonte! 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat