Opozita refuzon Metën, kreu i Kuvendit: PD të tregojë vullnet

Shqipëria

Opozita refuzon Metën, kreu i Kuvendit: PD të tregojë vullnet

Më: 27 prill 2017 Në ora: 08:50
Ilir Meta

Në përfundim të takimit të thirrur prej tij, por ku munguan përfaqësuesit e opozitës, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka deklaruar se PD dhe aleatët e saj po ndjekin një axhendë të caktuar, që sipas tij bie ndesh me ofertat për dialog që po u bëhen.

“Janë bërë disa hapa të rëndësishëm përpara nga mazhoranca për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, por opozita ka një axhendë të sajën që nuk po i shërben këtij procesi dhe nuk do t’i shërbejë as vetë asaj”, ka thënë Meta, duke shprehur keqardhje që “opozita po barazon dialogun me ultimatumin”.

Kreu i LSI-së ka theksuar se opozitës po i lihet kohë dhe po i krijohen kushte për plotësimin e standardeve të krijuara prej saj, por ajo sipas tij nuk po tregon vullnet për të bashkëpunuar.

“Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën, pasi zgjedhjen e presidentit e kishim bërë me kohë, Kodin Zgjedhor e kishim ndryshuar me kohë, etj. Jemi duke pritur PD, të cilës i janë bërë mjaft oferta, por edhe PD duhet të tregojë vullnet”, ka thënë Meta.

I pyetur nga mediat mbi kërkesat e opozitës, ai ka theksuar se, “qeveria teknike nuk mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme”. Ndërsa sa i takon ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ai e ka cilësuar atë një kod “të mallkuar” që synon të mbajë Shqipërinë në errësirë.

“Pasojat e krizave të këtyre viteve janë pasojat e kodit të bërë në errësirë, në ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh. Duhet t’u jepet garanci shqiptarëve se vota e tyre do të jetë e drejtë”, ka vijuar Meta.

Ai ka shtuar më tej se, nuk duhet që këto kriza ta çojnë vendin në rrethana destabilizuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat