Tiranë: Kuvendi kapërcen pa kandidat raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ri

Shqipëria

Tiranë: Kuvendi kapërcen pa kandidat raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit të ri

Më: 27 prill 2017 Në ora: 15:32
Kuvendi

(E plotësuar) - Parlamenti shqiptar zhvilloi në mesditë seancën për zgjedhjen e presidentit të Republikës në raundin e tretë.

Komisioni parlamentar i ligjeve bëri të ditur se as këtë raund nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, sipas afateve ligjore.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se grupi parlamentar socialist u dakordësua pa asnjë rezervë për të pritur opozitën.

“Sot dogjëm raundin e tretë, edhe pse i kemi votat për ta zgjedhur presidentin qysh në raundin e parë.

U dhamë gjithë kohën opozitës për të propozuar kandidatë sa më të pranuar, por ata nuk erdhën” - tha zoti Ruçi.

Në sallë ishin vetëm deputetët e shumicës. Opozita vazhdon të qëndrojë jashtë parlamentit.

Edhe dy raundet e para u ezauruan pa ndonjë kandidat.

Kërcënimi i PS-së për Metën: Zgjedhim nesër Presidentin...ose zgjedhje të parakohshme!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci, mori fjalën në Kuvendin e Shqipërisë për të sqaruar se çfarë ndodhi me misionin e dy të mandatuarve të BE-së që u larguan nga vendi ynë pa mundur të ulin në një tryezë negocimi kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Basha për zgjidhjen e krizës.

Duke fajësuar kreun demokrat si personin që nuk i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit politik, Ruçi ju drejtua më së shumti gjatë fjalës së tij, kreut të Kuvendit Ilir Meta, duke e pyetur: Çfarë po ndodh?! Këtu, deputeti socialist ju referua faktit që pavarësisht se po tentohet t’i plotësohen kërkesat, opozita nuk po i bashkohet seancës parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Edhe këtë të enjte në raundin e tretë për zgjedhjen e kreut të shtetit, nuk pati asnjë kandidaturë. Ruci foli ashpër kur tha se i duhet dhënë zgjidhje kësaj situatë pasi Partia Socialiste i ka 71 vota edhe pa LSI-në, ose ndryshe shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ai i kërkoi zotit Meta të mbledhë Konferencën e Kryetarëve që nesër të zgjidhet presidenti i Republikës. “nëse është nevoja, edhe të dyja raundet e fundit bashkë”, - u shpreh Ruçi. Në përfundimtë fjalës së Rucit, kryeparlamentari Meta njoftoi mbylljen e seancës dhe mbledhjen e konferencës.

“Ne i kemi 71 vota edhe pa LSI-në, por mos na detyroni, dhe as e marrim përsipër të shkelim mbi moralin e kësaj force politike. PS nuk dëshiron të zgjidhë me forcën e numrave këtë cështje kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Ne do zgjedhim të parin e vendit, prandaj zoti kryetar ju takon juve si forcë politike që jeni vendosur edhe si ndërmjetës mes dy palëve, që keni kaq kohë që keni anuar nga ana tjetër, po flas troç. DO kërkoja që edhe ju të reflektonit për të mos e mbyllur këtë parlament me një dështim të tillë”, u shpreh Ruçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat