Policia kallëzon në prokurori Partinë Demokratike për zgjedhjet në Kavajë

Shqipëria

Policia kallëzon në prokurori Partinë Demokratike për zgjedhjet në Kavajë

Më: 28 prill 2017 Në ora: 15:51
Lulzim Basha

Policia kërkon nga prokuroria të hetoje Partinë Demokratike në lidhje me deklaratat publike për protestën masive te thirrur në 7 maj, ditën kur zhvillohen zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kavajës.

Sipas policisë, PD-ja dhe zyrtarët e saj ne deklarata kanë bërë “thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe po tentojnë të “pengojnë subjektet gjatë zgjedhjeve”. Policia e Tiranës nis hetimet për Partinë Demokratike, duke dorëzuar materialin kallëzues në prokurori për dy akuza. 

ABC News ka mësuar se policia e shtetit, ka referuar në prokurori një material kallzues për opozitën, në lidhje me zgjedhjet lokale më 7 maj në Bashkinë e Kavajës. Sipas këtij materiali referues, që po verifikohet nga prokurori Enklid Gjini, thuhet se Partia Demokratike nëpërmjet metodave të ndryshme dhe deklaratave publike po tenton të dëmtojë zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kavajës. Në këto deklarata, që janë bashkangjitur materialit të policisë, zyrtarë të Partisë Demokratike kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme ditën e zgjedhjeve në Kavajë. Për këto fakte, thuhet në kallëzim, policia ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria për Partinë Demokratike për dy akuza, atë të “thirrjes publike për veprime të dhunshme” dhe “pengim të subjekteve zgjedhore” në bashkëpunim. Materialit të dorëzuar në prokurori, policia i ka bashkangjitur disa gazeta ditore, deklarata zyrtare të Partisë Demokratike dhe fjalime të kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Por pavarësisht këtyre provave, policia është treguar e kujdesëshme duke mos akuzuar direkt me emër kreun e PD-së por subjektin partiak. 

Opozita, prej disa ditësh, ka njoftuar bojkotin në zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kavajës dhe ka bërë thirrje për një protestë kombëtare që do të mbahet në Kavajë, ditën e zgjedhjeve. Ata kanë deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje pa opozitën, duke paralajmëruar kështu bllokimin e procesit zgjedhor për Bashkinë e Kavajës. 

Nga ana tjetër, referuar kodit penal, dy akuzat ajo e “Thirrjes publike për veprime të dhunshme” dhe akuza e “pengimit të subjekteve zgjedhore” parashikohen si krim kundër rendit Kushtetuese dhe kanë një penalitet nga gjoba deri në tre vjet burg për individë të caktuar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat