Kokëdhima uron Metën dhe zbulon 'sekretin' e marrëveshjes PS-LSI...

Shqipëria

Kokëdhima uron Metën dhe zbulon 'sekretin' e marrëveshjes PS-LSI...

Më: 28 prill 2017 Në ora: 22:12
Koço Kokëdhima

Nuk ishte bërë asnjëherë më parë publike, por ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima thotë se zgjedhja e Ilir Metës president ishte vendosur katër vite më parë me nënshkrimin e marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së kur dy forcat politike lidhën aleancë qeverisëse.

Kokëdhima thotë se meta do të ketë një Presidencë të vështirë nëse krijohet përçarje shqiptarësh në zgjedhje, por nga ana tjetër beson se kreu i LSI-së do të luajë rol për tejkalimin e krizës politike në vend.

“Sot Ilir Meta u zgjodh President i vendit. 

Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen PS-LSI të katër viteve më parë. Unë i uroj suksese zotit Meta në këtë detyrë të lartë dhe në sfidën e tij për të qenë një figurë dhe simbol i bashkimit kombëtar. 

Ilir Meta dhe LSI janë aq të lidhura me njëra-tjetrën. Opinioni publik pret të mësojë se çfarë roli do të luajë zoti Meta dhe LSI tani për tejkalimin e krizës politike. A do mundet Presidenti i ri të ndihmojë që populli ynë të shkojë i bashkuar në zgjedhjet e sivjetshme? 

Nëse shqiptarët do të përçahen në zgjedhje, Meta do të ketë një presidencë të vështirë. Unë uroj që zgjedhja e tij t’i shërbejë ç'tensionimit të situatës dhe bashkimit të popullit në zgjedhjet e përgjithshme”, shkruan Kokëdhima, kryesues i lëvizjes “Zgjidhja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat