Meta President, Hila: Më i fortë se Moisiu, më i dobët se Berisha

Shqipëria

Meta President, Hila: Më i fortë se Moisiu, më i dobët se Berisha

Më: 29 prill 2017 Në ora: 02:07
Dritan Hila

Për analistin Dritan Hila, vendimi i Metës për të kandiduar si President ishte i nxitur nga qëndrimet e opozitës.

Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Hila tha se ky post do ti krijojë mundësinë të jetë mbi palët gjatë krizave politike që pritet të mbërthejnë vendin.

Dritan Hila: Meta hyn tek personazhet që flet pak në mënyrë që të kuptohen mesazhet e tij. Ishte një referim që i bëri Namik Dokles, një lloj falenderim apo përshëndetje për shokët e largët të armëve që dikur i ka pasur në PS, Dokle është një prej tyre. Në fakt fjalimi nuk ishte fare i rastësishëm, ishte i përgatitur mirë nga Meta. Ishte reflektim i të gjithë situatave që ka pasur. Falenderoi opozitën pasi në një farë mënyre nuk priste të ishte President, por ishte sjellja e opozitës e cila e detyroi të pranonte postin e Presidentit.Nuk i dha shpresë opozitës.  Ardhja e dy negociatorëve David McAllister dhe Knut Fleckenstein ishte një ndërhyrje e Metës sepse paraqitën propozimet e Metës. Opozita nuk ishte në gjendje ta kapte mesazhin, nuk e kapi momentin. Iu propozuan katër Ministra dhe në momentin që opozita do kishte katër Ministra, LSI katër dhe PS katër apo pesë Ministra, opozita do të ishte në kushtet për të negociuar. Opozita ose nuk e kapi ose nuk donte këtë lloj kompromisi të hyjë në zgjedhje, atëherë Meta u detyrua të merte postin e Presidentit, një post që do i krijojë mundësinë që të jetë super partes gjatë krizave që janë në prag gjatë këtij viti, do ketë një krizë politike.

Ndryshe nga disa qëndrime të shprehura, Hila thotë se Meta President nuk ishte pjesë e marrëveshjes PS-LSI në 2013.

Ai vlerëson se ky vendim ka qenë i minutave të fundit, pas dështimit të negociatave me opozitën.

Dritan Hila: Jo nuk e besoj. Politika shqiptare është shumë e paparashikueshme për të bërë marrëveshje katër vjet përpara. Mendoj që plani A i Metës ishte të fuste dhe PD në zgjedhje dhe të dilte forcë ndikuese në gjithë proçesin zgjedhor dhe të kishte mundësi btë negocionte rolin e Kryeministrit. Por PD mesa duket nuk ka qenë në të njëjtin mendim me planet e zotit Meta, po ndjek rrugën e saj. Me sa duket e mendonte Metën si një aksesor të planeve të saj ndërkohë që është një gabim që e bëjnë shpesh dy partitë e mëdha, e mendojnë LSI si një pjesë. Shpesh PD do të që të jetë një kamikaze e tyre, ndërsa PS do të jetë vasale e tyre. Në këtë moment Meta kishte dy rrugë, ose të tërhiqej, të rrinte në krye të partisë dhe të bënte fushatën elektorale, ose të merte postin e Presidentit. Posti i Presidentit mendoj se ka qenë një zgjedhje e fundit e Metës, duhet ta ketë marrë atë vendim në momentin që mbyllën negociatat me PD. I duhet ai post për të rajtur ekuilibrat në vend. Do kemi krizë përpara.Por i duhet ai post për të pasur dhe një pol tjetër fuqie në politikën shqiptare. Natyrisht do të ishte më i nevojshëm për LSI në krye të LSI, sepse Meta vetë është një makinë elektorale shumë e mirë por si duket në llogaritë e tij ka dalë që është më e favorshme të jetë në pozicionin e Presidentit. Jo si vend me kompetenca.

Por si do të jetë Presidenca nën drejtimin e Metës, në një kohë kur kompetencat e Kreut të Shtetit janë ndjeshëm të reduktuara?

Dritan Hila: Mund të kesh çelësat atomikë në dorë dhe në qoftëse nuk ke autoritet moral nuk mund ti shkrepësh. Meta ka dy faktorë, ka 26 vjet politikan. Ka më shumë jetë politikë sesa jetë civile dhe ka një parti të fortë nga mbrapa që e bën të jetë më i fortë sesa kompetencat që i cakton Presidenti. Plus është një njeri që ka raport me të dyja palët e politikës. Presidenti ka si kompetencë të veten vetëm dekretimin e Ambasadorëve tashmë. Edhe ai është i reduktuar.Por Meta është i një lloj kalibri tjetër. Në këtë rast individi do ti japë valencë postit të Presidentit. Ndryshime ligjore nuk besoj. Kemi parë një President si Berisha që megjithëse me kompetenca ishte i dobët ai ishte figura e parë. Kemi pasur një President si Moisiu që ka ditur të jetë i imponuar me vetë staturën e tij. Meta do të jetë një politikan i tretë që për nga statura qëndron midis këtyre të dyve, më i fortë se Moisiu dhe më i dobët se Berisha moti, sepse në atë kohë kishe dhe valën e ndryshimeve, valën popullore. Por për nga të tjerat nuk i lë gjë mangut Berishës, mund të thuash që është një politikan që.. Nëse Berisha nuk e kishte provuar më përpara të thyente hundët në rrugën e politikanit, Meta e ka provuar të thyejë disa herë hundët. Është rrëzuar disa herë, është ngritur prapë. E di që vlen më shumë kompromisi në politikë sesa përplasja. Është politikan që gjithashtu e ka bërë përplasjen më shumë se çdo kush tjetër. Është një njeri që ka ikur nga një parti, ka krijuar parti tjetër. Ka dhënë dorëheqje, është rikthyer prapë, ka vdekur është ringjallur.Është një personazh që do të dijë ti japë valencë postit të Presidentit. Megjithëse që ata që e zgjodhën presin të mos jetë i tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat