Basha: Në Republikën e Re do të ketë 100 deputetë

Shqipëria

Basha: Në Republikën e Re do të ketë 100 deputetë

Më: 2 maj 2017 Në ora: 16:43
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Në fjalimin e tij te çadra e protestës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë edhe një propozim se si mund të jetë sistemi i ri zgjedhor në Shqipëri. Sipas Bashës, Republika e re nuk ka nevojë për 140 deputetë, por vetëm për 100 të tillë.

“Në Republikën e Re, ku nuk ka nevojë për 140 deputetë se do të mjaftonin 100, kjo gjë do të ndryshojë në mënyrë që çdo deputet të jetë i lidhur me qytetarët dhe të përgjigjet vetëm përpara tyre. Ne do të shmangim skenarin e zymtë të parlamentit fasadë, që nuk është parlament por noter i kryeministrit. Demokracia funksionon në bazë të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, që do të thotë qeveria duhet të kontrollohet nga parlamenti. Në Shqipëri parlamenti zotërohet, sundohet dhe pushtohet nga qeveria, sepse fatet e parlamentarëve, janë në dorën e kryeministrit”.

Gjithashtu Basha foli edhe për sistemin e ri zgjedhor. Sipas tij, çdo qytetar duhet ta njohë deputetin e vet, duhet ta dijë se kush e përfaqëson.

“Ne jemi këtu me një mision të madh, kombëtar, popullor, qytetar dhe demokratik. Ne kërkojmë vetëm një gjë, të drejtën e çdo qytetari për të vendosur me votë të lirë, i pakërcënuar, i pablerë, i pamanipuluar. Ne kërkojmë të lidhim përgjithmonë fatet e politikës dhe politikanëve, me fatin e qytetarëve shqiptarë. Kjo është Republika e Re e cila në projektin e saj kryesor, ka transferimin e pushtetit nga partitë tek qytetari. Sot janë partitë që vendosin se kush i përfaqëson qytetarët. Prandaj deputetët nuk përfaqësojnë sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj kryetarit të partisë. Ky është një gabim i përbashkët, ku Partia Demokratike, ka përgjegjësinë e saj për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në Republikën e Re deputetët do të zgjidhen nga qytetarët dhe do të përgjigjen vetëm para tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat