PD: Shihemi në Kavajë! Basha flet për “ushtri paqësore”

Shqipëria

PD: Shihemi në Kavajë! Basha flet për “ushtri paqësore”

Më: 5 maj 2017 Në ora: 15:45
Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha foli për atë që e quajti “marshimin e ushtrisë paqësore” në Kavajë. Ai e quajti protestën ditën e zgjedhjeve në këtë qytet si stacionin e parë të betejës, sipas tij, finale.

“Ushtria paqësore e republikës së re po nis marrshin e saj të pandalshëm”, tha ndër të tjera, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur në çadër këtë të premte.

Kavaja ishte kryefjala e demokratëve në ditën e 77-të të protestës. Kur dy raunde negociatash mes Ramës dhe Bashës janë mbyllur pa marreveshje, kreu i opozitës i dha prioritet madhor protestës në Kavajë.

“Ne jemi gati dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale, përballja e parë është ditën e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demokracisë, në Kavajë”, shtoi kreu i PD.

Përpara se të shkonte në çadër, Lulzim Basha takoi ministren e Jashtme suedeze, të cilës i paraqiti si problemin kryesor të zgjedhjeve drogën dhe krimin, që i prezantoi si projekt politik i Kryeministrit Rama.

“E gjithë bota e di që zgjidhja mund të vijë vetëm duke marrë në dorë fatin e zgjedhjeve nëpërmjet një qeverie teknike, që do të luftojë krimin dhe drogën, e do të mundësojë votën e lirë të qytetarëve shqiptare”, tha kreu i PD.

Kur mbeten edhe dy ditë nga zgjedhjet në Kavajë dhe ende nuk ka një marrëveshje politike, Lulzim Basha ka një mesazh edhe për partnerët ndërkombëtarë.

“Le të përhapet lajmi i mirë kudo, se republika e vjetër është një tigër letre! Le ta mësojë çdo shqiptar dhe mik i huaj se në 7 maj, republika e vjetër rrëzohet në Kavajë”, deklaroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat