Rama tërheq nga gara kandidatin e PS-së në Kavajë

Shqipëria

Rama tërheq nga gara kandidatin e PS-së në Kavajë

Më: 5 maj 2017 Në ora: 18:34
Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se i ka kërkuar kandidatit të PS-së në Kavajë të tërhiqet nga gara.

“I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës dhe i kërkoj të tërhiqet dhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj edhe unë këtë apel shumë miqësisht”, deklaroi Rama nga kryeministria gjatë një konference për shtyp.

Kandidatët për kryetar të bashkisë së Kavajës janë Astrit Muhamer Haka, kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit dhe Klodian Agron Shehi kandidat i PS-së, emri i të cilit është i dyti në fletën e votimit.

Rama tha se po tentohet të krijohet destabilitet në Kavajë, por shtoi se ai nuk do të lejohet kjo. “Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan. Këto nuk janë hamendje, por fakte”, deklaroi ai.

Por, kryeministri Rama duke vënë theksin se Kavaja nuk është sfida e kësaj qeverie, deklaroi se qeveria është e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet e 18 qershorit.

Mekanizmi i ri institucional që kemi propozuar për kontrollin e brendshëm të qeverisë gjatë zgjedhjeve, sipas Ramës, garanton barazi dhe transparencë për të gjithë në garën zgjedhore.

“I kërkoj Lulzim Bashës te fokusohet te zgjidhja që i është ofruar deri në datën 7 maj. Jam gati për të detajuar ofertën që ka mbi tavolinë. Zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor me apo pa PD-në”, deklaroi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat