"Të pres deri më 7 Maj", Basha i kundërpërgjigjet Ramës me lëvizjen e radhës

Shqipëria

"Të pres deri më 7 Maj", Basha i kundërpërgjigjet Ramës me lëvizjen e radhës

Më: 5 maj 2017 Në ora: 21:07
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Kryeministri Edi Rama i vuri afat deri mbrëmjen e 7 majit për ta pritur në dialog dhe zgjidhje për krizën politike në vend, por lideri i opozitës Lulzim Basha është i vendosur në kërkesën e tij për krijimin e një qeverie teknike.

Një kusht i panegociueshëm ky nga kreu i qeverisë Rama, që duhet se do t’i lë sërish në udhëkryq negociatat mes qeverisë dhe opozitës që proteston prej rreth tre muajsh dhe ka deklaruar bojkot të zgjedhjeve të 18 qershorit.

Rruga e vetme për tu bërë pjesë e zgjidhjes së krizës politike – tha Basha - është ndarja me drogën dhe krimin, dy kërcënimet kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe kjo sipas Bashës, realizohet vetëm përmes një qeverie teknike.

Kreu i qeverisë bëri këtë të premte hapin e parë pas duke deklaruar tërheqjen e kandidatit të PS-së për zgjedhjet në bashkinë e Kavajës, edhe këto të bojkotuara nga opozita. Edhe pse u vlerësua si fitore e parë e republikës së re, siç kreu demokrat quan Shqipërinë e dalë pas zgjedhjeve teknike, Basha paralajmëroi tjetër veprim kundër qeverisë. Nga java e ardhshme do të nisin protestat masive, e para do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar me tubime në të gjitha sheshet dhe qytetet e Shqipërisë.

“Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe vetëm me pjesëmarrjen e opozitës. Ftesa qëndron e  hapur: 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht. Ose përballuni me marshimin më të madh të qytetarëve, javën e ardhshme në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dhe pas kësaj në cdo shesh e në cdo rrugë të cdo qyteti e cdo fshati ku ka vullnet të  qytetarëve për demokraci”, tha Basha.

Gjatë fjalës së tij Basha i dha përgjigje edhe faktit që Rama përmendi sot, se Partia Demokratike kishte plan të destabilizonte vendin, dhe se gjithçka do të niste nga protesta e së dielës në Kavajë.

“Faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e lidhura me pushtetin, bandat kriminale që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë. Të dyja anët e këtij konflikti mes bandave i përkasin vetëm një krahu politik, Rilindjes së inkriminuar, dhe krimit të rilindur”, tha kreu demokrat.  

Lulzim Basha ishte nisur drejt Kavajës, ku pritej të kishte një takim në orën 19:00 me strukturat atje, për organizimin e protestës që PD dhe aleatët do të mbanin të dielën për të bllokuar këtë proces zgjedhor. Por gjithçka mori kthesë kur kryeministri Rama deklaroi tërheqjen e kandidatit të PS-së nga gara elektorale për zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, pas shkarkimit të Elvis Rroshit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat