Paralajmërimi i Manjanit: Vendi po shkon drejt përplasjeve, Rama të tërhiqet

Shqipëria

Paralajmërimi i Manjanit: Vendi po shkon drejt përplasjeve, Rama të tërhiqet

Më: 7 maj 2017 Në ora: 23:00
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i ftuar në studion e Ora Neës, thekson se vendi po shkon drejt përplasjes për shkak të polarizimit politik. Ai deklaron se për herë të parë që nga viti 1991, po hyhet me leva në zgjedhje duke sajuar opozita.

Manjani: Vendi tashmë në kuptimin e polarizimit politik po shkon drejt përplasjes dhe kjo është një gjë e pa dëshiruar dhe është një gjë që ata që po e kurdisin po bëjnë gabim shumë të rëndë. Besoj kriza ka dy anë. Për fat po pranohet që jemi në krizë politike pasi sot ishim në fazën e mohimit. Edhe farsa e regjistrimit të partive dhe listave të kandidatëve në mënyrë të paligjshme. Merreni dhe lexojeni si të doni ligjin.

Në orën 12 të natës më 28 prill ka përfunduar afati ligjor. Afate politike ka sa të duash. Nuk na kishte ndodhur deri më sot që pas 91-t të hyjmë në zgjedhje me levat e partisë, të sajojmë parti të krijojmë opozitën. Kjo nuk është normale. Përplasja është e padëshiruar. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhi më shumë për të kuptuar se vendi po shkon në përplasje.

Kur i fiton zgjedhjet pse duhet të jesh arrogant? Këtë nuk e kam kuptuar asnjëherë. Sa më shpejt të ulesh në tryezë me opozitën aq më shpejt do të shkohet në zgjedhje. Sa më gjatë, opozita do të radikalizohet. U pa çadra me përçmim, jo kriminelë, jo vettingu. Janë shqiptarë edhe ata nuk janë serbë dhe kjo është e patolerueshme.

Manjani shprehet se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.

Manjani: Zgjedhje pa opozitën nuk ka. Unë nuk mund të them kush ka të drejtë, por jam i bindur dhe mbetem i bindur se arroganca është arsyeja e kësaj krize. Jam i bindur se sistemi politik në Shqipëri është në krizë të thellë prej vitesh. Pa diskutim dashuriçkat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në kurriz të Kushtetutës së vendit kanë këtë pasojë. E gjithë kjo situatë kërkon zgjidhje.

Bota demokratike kërkon zgjedhje dhe pjesëmarrje të të gjitha partive. Pavarësisht nga ndonjë ambasadori/reje, e cila sillet vërdallë këtu për agjenda të tyre. Është detyrë e shtetit shqiptar të realizojë këto zgjedhje.

Manjani: Rama të paguajë koston e arrogancës

Manjani: Kryeministri duhet të paguaj koston e arrogancës që ka sjellë krizën politike në këtë vend, qoftë edhe me dorëheqje. Zgjedhjet i ka të fituara, çfarë problemi ka? Përballë përplasjes së shqiptarëve, do ketë zgjidhje edhe më të buta. Edhe më të përgjegjshme.

Manjani sugjeroi për zgjidhjen e krizës uljen në një tryezë serioze negociatash ku palët të tregojnë përgjegjshmëri.

Manjani: Zgjidhja është politike, me përgjegjshmëri. Duhet me u ul në tryezë serioze dhe të mos ngrihen nga ajo tryezë derisa të gjejnë zgjidhje.

Ndërsa lidhur me moskandidimin në listat e deputetëve për zgjedhjet e 18 qershorit, Manjani u shpreh se ky ishte një vendim partiak.

Manjani: Forumet e Partisë çmuan që nuk duhet të jetë në listat e deputetëve ministri i tyre i drejtësisë. Është vendimi i atyre. Më takon ta respektoj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat